Sport

Drenica me shumë ndryshime, por me synime të qarta

Malishevë, 14 janar - Drenica ka hyrë në javën e dytë të përgatitjeve për stinorin pranveror. Krahas stërvitjeve, ekipi nga Skenderaj ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore kundër Malishevës, të enjten, të cilën e ka fituar 1:0, me golin e Kreshnik Ukës.

Dueli u luajt në kushte të papërshtatshme atmosferike, ku fusha në Malishevë ishte e mbuluar me borë.

Trajneri i Drenicës, Bledar Devolli, ka thënë për KOHËN se deri me tani gjithçka po shkon sipas planit. Ai pohoi se fazën e dytë të përgatitjeve do ta kryejnë në Durrës.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, nuk kemi pasur lëndime të djemve. Çdo gjë po shkon mirë dhe nga e shtuna do të ikim 15 ditë në Durrës, aty do të bëjmë atë pjesën themelore”, tha Devolli.

“Kuqezinjtë” kanë qenë ndër më aktivët në afatin kalimtar të janarit, duke sjellë në stadiumin “Bajram Aliu” shtatë lojtarë. Trajneri Devolli është i kënaqur me përforcimet dhe konfirmon se në ditët në vazhdim do të vijnë edhe tre-katër lojtarë të tjerë.

“Në radhë të parë falënderoj presidentin dhe bordin e klubit që m’i kanë lënë duart e lira te kjo pjesa e përforcimeve. I kam ofruar atë lojtarë që unë kam dashur, lojtarë që i njoh dhe këta të huajt që do të vijnë, i kemi parë, i kam studiuar shumë mirë dhe besoj që janë futbollistë të mirë. Besoj e shpresoj që do të na shërbejnë për objektivat që kemi, sidomos për qëndrim në ligë, kjo është primarja, kryesorja, pastaj është edhe Kupa që besojmë dhe shpresojmë që t’i shkojmë deri në fund”, u shpreh trajneri nga Shqipëria, që drejtimin e ekipit nga Skenderaj e mori në mes të stinorit vjeshtor, pas largimit të trajnerit Fadil Rama.

Devolli është i vetëdijshëm që Drenica asnjëherë nuk ka rënë nga Superliga dhe premton maksimumin për ta mbajtur në ligë. Drenica është e parafundit në Superligë me 19 pikë. Është e njohur si skuadër stabile e mesit të tabelës.

“E kam ditur pa ardhur te Drenica se kjo skuadër dhe Prishtina nuk kanë rënë asnjëherë nga Superliga. Kjo skuadër ka histori dhe nuk ka rënë asnjëherë nga liga. Prandaj, po bëjmë ekip nga e para dhe jo që nuk kemi pasur besim tek ekipi që kemi, por e kemi të rëndësishëm qëndrimin në ligë”, deklaroi Devolli.

Optimistë për pjesën e dytë të kampionatit janë shprehur kapiteni Azem Bejta dhe mesfushori Qemail Elshani.

Bejta ka deklaruar se me ardhjet e reja beson që do t’ia dalin. Ai e pranon se mendjen e kanë edhe te kupa.

“Përgatitjet po shkojmë shumë mirë. Fazën tjetër do ta kryejmë në Durrës dhe besoj që do të përgatitemi mirë. Unë jam pjesë e Drenicës thuajse qe 13 vjet. Kryesia është mobilizuar mjaft shumë, ka sjellë përforcime të mjaftueshme dhe besoj që do t’ia dalim, synimi është mbetja në ligë. Synojmë edhe Kupën dhe besoj që Drenicën do ta lënë gjithsesi në ligë”, tha Bejta.

Mesfushori Qemal Elshani mendon që çështja e mbijetesës as që diskutohet. Ai thotë se do të zhvillojnë ndeshje të mira dhe do të arrijnë rezultate pozitive.

“Qe disa ditë jemi duke u përgatitur për stinorin pranveror. Deri me tani gjithçka po shkon mirë. Synimi është që me prurjet e reja të arrijmë të krijojmë filozofinë që kërkon trajneri. Synojmë të zhvillojmë ndeshje të mira dhe arrijmë atë që e synon klubi. Besoj që nuk do të luftojmë për mbijetesë, pasi kemi ekip cilësor”, deklaroi Elshani.

Deri me tani Drenica është përforcuar me Kreshnik Ukën, Eglantin Gjonin, Erlis Frashërin, Dionis Çikanin, Dardan Rogovën, Behar Ramadanin dhe Donald Rapon.

Ndërkaq nga ekipi kuqezi ka pasur edhe largime. Arbios Thaçi, Valdo Zeqaj, Diar Miftaraj, Muharrem Musa dhe Vidlan Kerim nuk do ta veshin fanellën e Drenicës në pranverë. Pritet të largohen edhe Lulëzim Doshlaku dhe Almedin Murati.

Drenica së bashku me Prishtinën janë ekipet e vetme që asnjëherë nuk kanë rënë nga Superliga.