Sport

Gëzim Morina i bashkohet Yllit

Descriptive Text

Pas Erjon Kastratit, KB Golden Eagle Ylli ka angazhuar edhe një reprezentues tjetër të Kosovës. Bëhet fjalë për Gëzim Morinën, i cili do të jetë pjesë e ekipit të Suharekës deri në fund të këtij edicioni.

Transferimin e Morinës tek Ylli e ka konfirmuar për KOHËN edhe drejtori sportiv i ekipit, Agron Berisha.

“Është e vërtetë që Gëzim Morina do të jetë pjesë e ekipit tonë, të cilit do të bashkohet shumë shpejt”, ka thënë shkurt Berisha.

Morina (205 cm), së fundi ka qenë pjesë e ekipit nga Sllovenia, Helios Suns ku ka luajtur me një mesatare prej 4.8 pikëve dhe 3.7 kërcimeve për ndeshje. Basketbollisti 28-vjeçar është nga Suhareka por karrierën si profesionist e ka zhvilluar jashtë kufijve. Ai ka luajtur kryesisht në Slloveni, ndërsa për një periudhë të shkurtër ka qenë edhe pjesë e Sigal Prishtinës në edicionin 2015/16.