Sport

Te Prishtina pranojnë forcën e Barcelonës, shpresojnë në fat për ndeshjen e 15 janarit

Kampionia e Kosovës në fusall (futboll të sallës), Mabetex Prishtina, do të përballet me kampionen në fuqi të Ligës së Kampionëve, Barcelonën, në kuadër të 1/16 të finales të garës elitare evropiane. Kjo do të jetë hera e parë që një ekip kosovar i futsallit do të luajë kundër një klubi me emër siç është Barça.

Ndeshja do të zhvillohet më 15 janar në Barcelonë dhe fituesi do të kualifikohet në mesin e 16 skuadrave më të mira.

Kapiteni i Prishtinës, Jeton Rukovci, ka thënë për KOHËN se janë duke u përgatitur maksimalisht në mënyrë që të kenë paraqitje sa më të mirë kundër Barçës. Sipas Rukovcit, përgatitjet i kanë kryer në Kosovë ku i kanë pasur kushtet shumë të mira, kurse drejt Barcelonës do të nisen më 14 janar.

“Përgatitjet po na ecin shumë mirë, gjithçka po shkon sipas planit. Nuk kemi qenë jashtë vendit për përgatitje dhe arsyeja është se kushtet i kemi shumë të mira në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Për fat të mirë këtë problem nuk e kemi. Në Pallatin e Rinisë ngrohja është funksionale dhe temperaturat janë ideale për ushtrime. Drejt Barcelonës do të nisemi më 14 janar, herët në mëngjes dhe besoj që jemi gati”, tha Rukovci.

Ai e pranon se përballë do ta kenë një skuadër të nivelit të lartë. Megjithatë, premton maksimumin në parket.

“Realisht dallimi në nivel është mjaft i madh. Presim që të paraqitemi sa më mirë në këtë ndeshje historike. Do të japim maksimumin dhe do të kemi nevojë shumë edhe për fat”, deklaroi kapiteni i ekipit prishtinas.

Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës, por për këtë çështje Prishtina nuk ka pasur telashe. Rukovci tregon se nuk kanë pasur problem me viza dhe se gjithçka është në rregull. Në këtë drejtim te Prishtina janë ndihmuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, UEFA dhe klubi i futsallit, Barcelona.

Rukovci mendon se e mira e Prishtinë është se të gjithë lojtarët janë të gatshëm dhe nuk kanë probleme me lëndime.

“Ekipi po stërvitet i kompletuar dhe nuk kemi mungesa apo lëndime, fatmirësisht. Po punojmë shumë që të paraqitemi sa më mirë”, u shpreh Rukovci, i cili nënvizoi se ndeshja me Barcelonën do të jetë një rast i mirë për lojtarët e rinj që të tregojnë talentin e tyre.

“Patjetër që po. Kemi edhe lojtarë të rinj dhe perspektivë në futsall që mund ta dëshmojnë veten dhe pse jo edhe të luajnë në një kampionat më të fortë”.

Një ditë para nisjes për në Barcelonë, lojtarët e Prishtinës do të testohen në Kosovë për koronavirus, në laboratorin e licencuar nga UEFA.

Në raundin e parë Mabetex Prishtina e eliminoi Tiranën, duke e mposhtur me rezultat 3:0.

Ndeshja ndërmjet Barcelonës dhe Prishtinës do të luhet më 15 janar në palestrën “Palau Blaugrana” në Barcelonë. Dueli do të nisë nga ora 18:30.

Barcelona ka fituar tre trofe të Ligës së Kampionëve, të fundit vitin e kaluar. Është skuadra e dytë më e suksesshme. Titullin e ka fituar edhe në vitet 2012 e 2014, kurse në vitin 2015 u mposht në finale.

Skuadrat spanjolle dominojnë në Championsin e futsalit me 10 tituj gjithsej. Deri më tani janë luajtur 19 edicione.