Aston Villa ka nisur përgatitjet për raundin e tretë të Kupës FA, por ato u ndalën në gjysmë për shkak të testeve pozitive me koronavirus.
Villa, që pritet të jetë nikoqire e Liverpoolit të premten në mbrëmje, e ka mbyllur qendrën stërvitore “Bodymoor Heath” pasi u raportua për një numër të madh të lojtarëve dhe anëtarëve të stafit, që janë infektuar me virus.
“Aston Villa mund të konfirmojë se klubi i ka mbyllur dyert e qendrës stërvitore Bodymoor Heath pas një përhapje të madhe të koronavirusit. Një numër i madh i lojtarëve të ekipit të parë dhe stafit kanë dalë pozitivë në testet që i morën të hënën dhe menjëherë kanë hyrë në izolim. Raundi i dytë i testeve është bërë menjëherë dhe ka dhënë teste tjera pozitive të enjten. Stërvitja e ekipit të parë para duelit me Liverpoolin në Kupën FA është anuluar. Po vazhdojnë diskutimet mes përfaqësuesve mjekësor të klubit, Shoqatës së Futbollit dhe Premier Leagues”, thuhet në komunikatën e Aston Villas.
Takimi mes Southamptonit dhe Shrewsburyt është anuluar për shkak të përhapjes së koronavirusit tek ekipi që bën gara në League One.