Sport

Legjendat sportive që vdiqën në vitin 2020

Descriptive Text

Në vitin e pazakontë 2020 vdiqën një numër i madh i personaliteteve sportive.

Nisi me vdekjen e njërit prej më të mirëve të basketbollit në ligën NBA, Kobe Bryant. Ai vdiq në një aksident me helikopter në Kaliforni në moshën 41-vjeçare, më 26 janar.

Bryant ishte pesë herë fitues i ligës NBA me skuadrën e Los Angeles Lakersit.

Më 12 prill, sportet motorike humben njërin prej vozitësve më të mirë, që nuk e kishte fituar asnjëherë Kampionatin Botëror në Formula 1. Sir Stirling Moss vdiq në moshën 90-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë.

Futbolli u godit rëndë në vitin 2020. Anglia e humbi Jack Charltonin dhe Nobby Stilesin, dy anëtarët që e fituan Kupën e Botës me Anglinë në vitin 1966. U pasua me vdekjen edhe të dy fituesve të tjerë të Botërorit. Më 15 nëntor në moshën 72-vjeçare vdiq edhe portieri anglez, Ray Clemence, i cili fitoi 3 Kupa Evropiane, 2 Kupa të UEFA-s dhe 5 tituj të ligës me Liverpoolin. Ai pati kancer në prostatë.

Diego Maradona, heroi i Argjentinës dhe njëri prej futbollistëve më të mirë që dhuroi bota e futbollit, vdiq më 25 nëntor në moshën 60-vjeçare pas sulmit në zemër. Ai i ishte nënshtruar paraprakisht edhe një operimi në tru, në La Plata.

Më 29 nëntor, në moshën 42-vjeçare vdiq edhe Papa Bouba Diop. Mesfushori senegalez njihet si golashënuesi i parë në Botërorin e vitit 2002. Ai kishte shënuar kundër kampiones në fuqi, Francës.

Paolo Rossi, ish-sulmuesi i Juventusit dhe Milanit që shënoi “hat-trick” kundër Brazilit në Botërorin 1982, kur Italia e fitoi atë Kupë të Botës, vdiq më 9 dhjetor në moshën 64-vjeçare. Edhe Rossi vdiq pas një sëmundjeje të gjatë. Nderime të ngrohta iu bënë edhe Gerard Houllierit, trajnerit të futbollit që e udhëhoqi Liverpoolin drejt pesë trofeve madhorë, përfshirë Kupën FA, Kupën e Ligës dhe Kupën e UEFA-s në vitet 2000-2001.

Houllier, i cili e udhëhoqi edhe Përfaqësuesen e Francës, vdiq më 14 dhjetor në moshën 73-vjeçare.