Sport

Trajneri Parker do ta udhëheqë Fulhamin nga shtëpia ndaj Southamptonit

Trajneri i Fulhamit, Scott Parker, nuk do të jetë në fushë të shtunën për ta udhëhequr skuadrën e tij, që do të luajë në shtëpi kundër Southamptonit, në kuadër të xhiros së 15-të në Premier League.

Parkeri është izoluar në shtëpi pasi një pjesëtar i familjes së tij ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19. Megjithatë, ai të enjten insistoi se do ta udhëheqë Fulhamin nga shtëpia.

Parkeri u testua për virus dhe doli negativ, por është i detyruar të qëndrojë në shtëpi. Klubi nga Londra nëpërmjet një njoftimi bëri të ditur se trajneri do të jetë në gjendje të kthehet për ndeshjen e ardhshme, atë kundër Tottenhamit, por me kusht që të rezultojë negativ përsëri për COVID-19.

“Pasi një anëtar i familjes së tij doli pozitiv për COVID-19, trajneri Scott Parker do të mbetet i izoluar këtë javë në përputhje me udhëzimet, ndonëse doli negativ. Shpresojmë se ai do të jetë në gjendje ta udhëheqë ekipin nga fusha kundër Tottenhamit nëse edhe në testin e dytë del negativ”, thuhet në njoftimin e Fulhamit.

Sidoqoftë, trajneri 40-vjeçar tha se ai do të vazhdojë ta udhëheqë ekipin dhe do të jetë vazhdimisht në kontakt pasi do të përcjellë ndeshjen kundër Southamptonit nëpërmjet laptopit. Ai shpreson ta ndihmojë Fulhamin të shënojë fitore në këtë ndeshje.

“Do të jem në kontakt të vazhdueshëm dhe tërë kohën do të mundohem ta udhëheq ekipin nga shtëpia, ndonëse nuk do të jetë njëjtë. Mirëpo, jam i përgatitur edhe për këtë përvojë të pazakontë”, tha Parkeri. “Unë do të kem një laptop para vetes që do të më tregojë kënde të ndryshme të lojës për ta shikuar ndeshjen më mirë, në mënyrë që të jap udhëzimet e duhura”, u shpreh Parkeri.

Në vend të Parkerit, në bankinë kundër Southamptonit do të jetë ndihmësi i tij, Stuart Gray, që do të veprojë sipas këshillave që i merr nga kryetrajneri. Gjithashtu, me Grayn do të jetë edhe ndihmësi tjetër, Matt Wells.

“Pa dyshim që kam ndihmës të shkëlqyeshëm që janë të gatshëm t’i marrin frenat në dorë. Besoj se do t’ia dalim mbanë në këtë mënyrë. Periudha e bllokimit na dha disa ide se si të stërvitemi në distancë, por ndeshja është pak më ndryshe pasi jemi në kampionat”, u shpreh Parkeri. “Unë do të jap kontributin e njëjtë sikurse në ndeshjet e tjera, por vetëm nuk do të jem pranë futbollistëve. Bota në të cilën po jetojmë na ka mësuar mënyra të ndryshme për të shfrytëzuar në maksimum një situatë të keqe dhe unë do të bëj gjithçka që mundem nga shtëpia”.

Fulhami këtë edicion është kthyer në elitën e futbollit të Anglisë dhe zë vendin e 18-të në tabelë me dhjetë pikë të grumbulluara pas 14 ndeshjeve të luajtura. Dueli mes Fulhamit dhe Southamptonit do të fillojë prej orës 16:00.