Jurgen Klopp ka hedhur poshtë spekulimet rreth të ardhmes së Mohamed Salahut te Liverpooli.
Salah, qëkur u transferua nga Roma në verën e vitit 2017 për 42 milionë euro, ka qenë fantastik në paraqitjet e tij.
Ai ka realizuar 110 gola në 173 paraqitjet e para për Liverpoolin, derisa ishte pjesë e suksesit historik të Liverpoolit me fitimin e Ligës së Kampionëve dhe Premier Leagues.
28-vjeçari edhe edicionin e ri 2020/21 e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer. Ka realizuar 13 gola në 13 paraqitje në Premier League, teksa me ekipin e tij është sërish në vendin e parë.
“Ne nuk flasim për marrëveshje, pse duhet të fillojmë tani? Mo është në moment të mirë, në formë të mirë, dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Do të duhej ta shihnit në stërvitje, qesh shumë, e shijon çdo stërvitje”, ka thënë trajneri Klopp para ndeshjes së të dielës kur Liverpooli luan me WBA-në.
Salah ka realizuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit për Liverpoolin.