Sport

Klubet e Milanos në garë për ta mbyllur vitin në krye të Serie A

Milani dhe Interi do të garojnë për të përfunduar vitin në krye të tabelës në Serie A, me ndeshjet e fundit që i luajnë të mërkurën. Rivalët e qytetit po shtyjnë para njëri-tjetrin me synim të njëjtë - për t’ia mohuar Juventusit titullin e dhjetë rresht të kampionit.

Ekipi i Milanit - që është lider në ligë dhe nuk ka humbje prej muajit mars - do ta ketë një provë të vështirë në ndeshjen e fundit të këtij viti. Në stadiumin “San Siro”, Milani e pret skuadrën e Lazios, të mërkurën nga ora 20:45. Te Milani pranojnë se u duhet medoemos fitorja në këtë derbi.

“E kemi vetëm edhe ndeshjen kundër Lazios këtë vit dhe gjasat i kemi të mëdha të arrijmë objektivin tonë të parë të këtij edicioni, qëndrimin në krye të tabelës në Serie A. Ky do të ishte një sukses i madh dhe besoj se do t’ia dalim”, paralajmëroi trajneri i Milanit, Stefano Pioli. “Kjo arritje do t’i shtohej gjithashtu suksesit tonë në Ligën e Evropës këtë edicion. Kështu që do ta përfundonim një vit shumë pozitiv”.

Milani i prinë klasifikimit me 31 pikë të mbledhura pas 13 ndeshjeve të zhvilluara, ku ka regjistruar nëntë fitore e katër barazime. Interi i trajnerit Antonio Conte ka vetëm një pikë më pak se Milani dhe është i dyti në tabelë. Për dallim prej Milanit që ka një ndeshje të vështirë, Interi vlerësohet favorit kur do të jetë mysafir i Veronas që zë vendin e nëntë (e mërkurë, 18:30). Interi për herë të fundit fitoi titullin e kampionit në Serie A në vitin 2010, me Milanin që e shijoi këtë sukses në vitin pasues.

Që nga atëherë, Juventusi ka dominuar plotësisht në kampionatin italian. Kampioni në fuqi, që drejtohet nga Andrea Pirlo, është i treti në tabelë me katër pikë më pak se Milani. Juventusi ka rast të mirë për t’u bërë presion rivalëve nga veriu nëse triumfon në shtëpi ndaj Fiorentinas të martën mbrëma (20:45). Cristiano Ronaldo ka qenë vendimtar si gjithmonë për Juventusin dhe aktualisht është golashënuesi më i mirë në kampionat me 12 gola.

“Është ndeshja e fundit për këtë vit dhe dua ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme, me fitore. Vetëm me pikët e plota do të jemi në hap me kreun e tabelës”, theksoi Pirlo.

Juventusi mund të përfitojë nga shqetësimet e rivalëve nga lëndimet. Zlatan Ibrahimoviqi do t’i mungojë Milanit për ndeshjen e gjashtë rresht për shkak të dëmtimit të muskulit të këmbës, por skuadra e Piolit ka treguar se mund të fitojë edhe pa praninë e sulmuesit 39-vjeçar. Pioli gjithashtu ka probleme në repartet tjera. Në mesfushë mungojnë Ismael Bennacer, Franck Kessie, Sandro Tonali e Ante Rebiq. Ndërsa, në dyshim mbetet edhe qendërmbrojtësi Simon Kjaer.

“Do të doja të kisha më shumë mundësi për të zgjedhur, por ne do ta shfrytëzojmë më së miri situatën si gjithmonë me lojtarët që i kemi në dispozicion”, tha Pioli. “Skuadra gjithmonë ka bërë ndeshje të mirë kur kishim mungesa dhe pres një paraqitje të mirë ndaj Lazios. Ne ende kemi një ndeshje shumë të vështirë për të luajtur, por ne kemi mentalitetin dhe karakterin e duhur. Ne do të përpiqemi të fitojmë të mërkurën dhe për ta bërë këtë duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe pastaj të shijojmë Krishtlindjet”.

Për dallim prej Milanit e Juventusit që janë në gara evropiane, fokusi i trajnerit të Interit, Antonio Conte është në kampionat pasi rrugëtimi në Ligën e Kampionëve përfundoi papritur.

Forma e Interit në kampionat ka qenë më e mirë. Është në një seri prej gjashtë fitoreve rresht dhe këtë muaj ka pësuar më së paku gola. Interi në sulm mbështetet te dyshja Romelu Lukaku e Lautaro Martinez, që ka shënuar 32 gola në 13 ndeshje.

“Ne duam ta përfundojmë këtë cikël ndeshjesh në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Conte.

“Ne nuk duam të dorëzohemi tani, pasi duhet të jemi të vendosur kundër Veronas të fitojmë, pavarësisht se kemi vetëm një seancë stërvitore paraprakisht. Do të tentojmë të dalim të parët në tabelë dhe pastaj të rikthehemi edhe më të fortë pas festave, por nuk varet gjithçka prej nesh”.

Pas treshes udhëheqëse në Serie A, Roma e pret Cagliarin, disa ditë pasi pësoi humbje të thellë në udhëtim nga Atalanta – 4:1. Skuadra e Paulo Fonsecas po bën presion për t’u rikthyer në futbollin e Ligës së Kampionëve së bashku me Napolin, i cili është i pesti në tabelë me 23 pikë, një më pak se Roma që renditet e katërta. Napoli humbi nga Lazio në ndeshjen e xhiros së shkuar kurse vitin e mbyll me duelin kundër Torinos, pa sulmuesit Victor Osimhen e Dries Mertens. Mirëpo, kapiteni Lorenzo Insigne do të kthehet nga pezullimi. Atalanta e vendit të shtatë, do të jetë mysafire e Bolognas, që mund të jetë ndeshja e fundit për kapitenin Papu Gomez, pas prishjes së raporteve me trajnerin Gian Piero Gasperini.

Image