Sport

Trajnerët e dy ekipeve flasin pas derbit në Superligë

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka pranuar se ekipi i tij është dashur ta fitojë derbin kundër Dritës duke u bazuar në rastet e shumta që i pati gjatë ndeshjes së luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Gjithmonë kur nuk arrijmë fitoren, fajin e shohim te vetja. Kur nuk realizon, atëherë është normale që ndëshkohesh. Kishim kontrollin e topit dhe rezultatin, por në pjesën e dytë është dashur më mirë të menaxhojmë lojën. Drita e mori atë për çka kishte ardhur. Përgëzoj futbollistët e Prishtinës për angazhimin, ndonëse është dashur ta fitojmë këtë ndeshje ku patëm shumë raste të humbura”, është shprehur Ramadani pas ndeshjes.

Në anën tjetër, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu është ndarë i kënaqur me barazimin kundër Prishtinës. Me këtë pikë të fituar, Drita e ka forcuar pozitën e parë në tabelë duke dimëruar si kampione.

Sipas Nuhiut, Drita ka treguar paraqitje të mira në pjesën e parë të këtij edicioni dhe ka merituar të përfundojë në pozitën e parë.

“Në përgjithësi mendoj se ishte një ndeshje e hapur, një derbi i vërtetë ku dyja ekipet kërkuan fitoren. Prishtina kishte raste më të pastra por portieri na mbajti në lojë. Pjesa e dytë na takoi neve dhe erdhëm edhe te goli. Dua të falënderoj futbollistët për një sezon shumë të mirë, përkundër orarit të ngjeshur. Kemi bërë një gjysmë-sezon të jashtëzakonshëm dhe kemi pasur paraqitje shumë të mira në përgjithësi, përgjatë. Nuk diskutohet se jam i kënaqur me pozitën e parë, duke pasur parasysh kohën e pandemisë dhe situatën që ka mbretëruar. Sigurisht, se do ta mbajmë ekipin aktual por mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim”, ka thënë Nuhiu pas ndeshjes.

Prishtina dhe Drita sot luajtën baras në ndeshjen e fundit të stinorit vjeshtor. Ndeshja përfundoi 1-1.