Sport

Lewandowski përballë Messit e Ronaldos në garën për çmimin e lojtarit më të mirë të FIFA-s

Është radha e polakut Robert Lewandowski që të përpiqet për të ndaluar Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon të fitojnë çmimin e lojtarit më të mirë të FIFA-s. Sulmuesi i Bayern Munichut u bashkua me dy lojtarët më të dekoruar të kohëve të fundit – Messin e Ronaldon - në listën e ngushtë të tre futbollistëve që konkurrojnë për më të mirin e shpallur nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit. Lista e ngushtë është publikuar të premten nga FIFA.

Golat e Lewandowskit e udhëhoqën Bayernin drejt suksesit të jashtëzakonshëm që e arriti këtë vit, triumfit në Ligën e Kampionëve, Bundesligë, Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën e Evropës. Një prej 55 golave të Lewandowskit sezonin e kaluar ishte në fitoren e thellë të Bayernit, 8:2, kundër Barcelonës në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Dhe pikërisht janë golat dhe trofetë e fituar nga Bayerni që mund ta shtyjnë Lewandowskin të marrë këtë çmim prestigjioz të ndarë nga FIFA.

Lewandowski mund të bëhet vetëm lojtari i dytë - pas Luka Modriqit në vitin 2018 – që ia ka mohuar këtë çmim Messit apo Ronaldos, qëkur e filluan sundimin e tyre në FIFA në vitin 2008. Argjentinasi Messi e ka fituar këtë çmim hiç më pak se gjashtë herë, ndërsa portugezi Ronaldo e ka fituar pesë herë.

Dy futbollistë të Bayernit janë në mesin e atyre që gjatë karrierës ishin në listën e tre futbollistëve më të mirë në garën për këtë çmim, por që përfunduan të tretët. Franck Ribery në vitin 2013 dhe Manuel Neuer në vitin 2014.

Ndërkohë, në listën e ngushtë të futbollisteve më të mira për këtë vit përfshihen: Lucy Bronze, Wendi Renard dhe Pernille Harder. Bronze dhe Renard janë bashkëlojtare që e fituan Ligën e Kampionëve të femrave me Lyonin edicionin e shkuar. Ndërsa, Harder luajti për ekipin që pësoi në finale të kësaj gare nga Lyoni, Wolfsburgun. Harder fitoi çmimin UEFA-s, si lojtarja më e mirë për femra në Evropë sezonin e kaluar, derisa te meshkujt ky epitet i takoi Lewandowskit.

As Messi e as Ronaldo nuk u futën në listën e ngushtë të tre lojtarëve për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit në Evropë, të votuar nga trajnerë të klubeve dhe mediat kryesore evropiane. Kevin De Bruyne doli i dyti në këtë votim, derisa Neuer përfundoi i treti.

Çmimi i FIFA-s përcaktohet nga një juri prej gjithë pjesëve të botës: trajnerë dhe kapitenë të përfaqësueseve, media dhe tifozë. Votimi tashmë është mbyllur dhe fituesit do të shpallen të enjten në një ceremoni virtuale të organizuar nga FIFA.

Trajneri i Bayernit, Hansi Flick, ai i Liverpoolit, Jurgen Klopp, dhe ai i Leeds Unitedit, Marcelo Bielsa, janë në garë për çmimin e trajnerit më të mirë të vitit te meshkujt. Ndërsa, gara për çmimin e trajnerit më të mirë në futbollin e femrave do të jetë midis Jean-Luc Vasseur të Lyonit, Emma Hayes të Chelseat dhe Sarina Wiegman që është përzgjedhëse e Holandës.