Sport

Lakers bëhet gati për mbrojtje të titullit, trajneri i pranon vështirësitë

Pasi e rinovoi kontratën me basketbollistët LeBron James dhe Anthony Davis, Los Angeles Lakers është gati që ta mbrojë titullin e Ligës NBA, ndonëse trajneri Frank Vogel është i vetëdijshëm për vështirësitë që ekipi i tij do t’i ketë.

Vogel foli para gazetarëve kur Lakersi e hapi kampin stërvitor në Los Angeles, dhe ekipi përgatitet për një tjetër edicion shumë të vështirë, më pak se dy muaj pasi e fitoi titullin.

“Duhet të jemi edhe më të mirë”, pranoi Vogel. “Gjëja e parë që duhet ta kuptoni se për ta përsëritur suksesin, do të jetë edhe më e vështirë se edicionin e kaluar, pasi një gjë të tillë e synojnë edhe shumë ekipe tjera”, nënvizoi ai.

Me Jamesin dhe Davisin sërish në ekip, puna natyrisht se do të jetë më e lehtë.

“Këta dy djem janë gurthemeli i ekipit dhe gjithçka do të ndërtohet rreth tyre, gati ngjashëm me mënyrën siç kemi bërë në vitin e kaluar”, përfundoi ai.

Marrëveshjet nuk janë bërë të ditura, por MVP-ja i finaleve, James, u raportua se ka nënshkruar kontratë të re dyvjeçare për të cilën do të fitojë 85 milionë dollarë. Ndërkohë, Davis nënshkroi kontratë pesëvjeçare të vlefshme 190 milionë dollarë.

Lakersi është barazuar me skuadrën Boston Celtics për më së shumti tituj në historinë e Kampionatit të NBA-së, me nga 17 gjithsej.