Sport

Diop nderohet me ceremoni shtetërore

Presidenti i Senegalit, Macky Sall, e ka nderuar futbollistin Papa Bouba Diop me ceremoni shtetërore të premten në aeroportin e Dakarit, para se arkivoli i tij të dërgohej në qytetin e tij të lindjes në Senegal.

Diopi është vlerësuar lartë si futbollist.

“Me punën madhështore, ti asnjëherë nuk do të vdesësh sepse do të mbajmë në kujtime. Do të mbetesh gjithmonë në memorien tonë, dhe kam vendosur që t’ju ngritë juve pas vdekjes me dinjitetin e oficerit të madh me urdhrin shtetëror dhe po ashtu ta emërojmë muzeun e futbollit me emrin tënd, e që do të ndërtohet shumë shpejtë në stadiumin e Senegalit në Diamniadio”, deklaroi presidenti i Senegalit, Macky Sall.

Fjalë të mëdha për të tha edhe presidenti i federatës senegaleze të futbollit, Augustin Senghor.

“Pas vdekjes së tij ai ka pranuar mirënjohje të madhe që i përshtatet njeriut që ishte dhe mënyrës se si ishte deri në momentin e vdekjes. Edhe sëmundja e tij, për të cilën nuk e dinte askush, tregon shenjën e një njeriu të madh”, tha Senghor.

Në aeroport ishte edhe Henri Camara, ish-bashkëlojtari dhe shoku i Diopit.

“Nuk e kam fuqinë të flas. Lutem që Zoti ta pranojë atë në parajsën më të mirë”, tha Camara.

Diopi ka luajtur për Fulhamin dhe Portsmouthin si mesfushor, duke u paraqitur në 129 ndeshje në Premier Leaguen angleze. Ishte pjesë e triumfit në FA Cup me Portsmouthin nën urdhrat e trajnerit Harry Redknapp në vitin 2008. Në Kupën e Botës 2002, Diop e shënoi golin e fitores në ndeshjen hapëse të Senegalit kundër Francës.