Sport

Juventusin e pret derbi me Torinon

Juventusi do të kthehet në aksion pas fitores në mesjavë në Ligën e Kampionëve 3:0 kundër Dinamo Kievit.

Të shtunën në orën 18:00, “bardhezinjtë” takohen me rivalin, Torinon, në derbin historik “Derby della Mole”, transmeton KOHA. 

Të drejtuarit e Andrea Pirlos janë gjashtë pikë larg dhe duhet të marrin fitore në mënyrë që ta ngushtojnë diferencën e pikëve me Milanin e Stefano Piolit.

Për “Zonjën e Vjetër” gjërat po shkojnë mirë në Evropë, pasi e ka kaluar fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, katër barazime nga gjashtë ndeshje të Serisë A italiane, tregon fytyrë tjetër të kampionit në fuqi, në kampionatin italian.

Juventusi dominues ndaj Torinos e ka humbur vetëm një nga 28 ndeshjet e fundit në Serie A, duke i fituar 21 prej tyre. Fitorja e fundit e Torinos, pjesë e të cilës janë Mërgim Vojvoda dhe Samir Ujkani, ka qenë ajo e prillit të vitit 2015. Vojvoda e Ujkani nuk do të aktivizohen për duelin e së shtunës.

Në fakt, humbja e fundit në shtëpi e Juventusit kundër Torinos në Serie A, ka ndodhur para 25 vjetëve.

Te Torino në këtë ndeshje vëmendje do të ketë Andrea Belotti, i cili në rast se shënon gol, do të shkonte në kuotën e 100 golave të shënuara me “Granatan” në të gjitha garat.

“Derby della Mole” për herë të parë është zhvilluar edhe para 100 vjetëve.

Milani që është i pari në tabelë pas nëntë xhirove me 23 pikë, në fundjavën e 10-të të elitës së futbollit italian luan në udhëtim te Sampdoria nga ora 20:45.