Sport

Marivaldo dhe 64 kilometrat e pasionit për futbollin

Kur përfshihet dashuria, pothuajse gjithçka është e mundur. Këtë e demonstron më së miri braziliani Marivaldo Francisco da Silva, dashuria e të cilit është më e madhe se e çdo tifozi të futbollit për ekipin e zemrës. Në fakt, Silva vetëm mund ta përshkruajë gjatësinë e dashurisë për klubin e tij, Sport Club do Recife, për të dëshmuar që dallon prej të tjerëve. Ashtu si çdo tifoz i flakët, Marivaldo kurrë nuk mungon në ndeshjet e skuadrës të cilën e përkrah që nga fëmijëria. “Pengesa” e vetme ndërmjet tij dhe klubit është rruga e gjatë prej 64 kilometrave që e ndan qytetin ku ai jeton, Pomobos, me stadiumin “Ilha do Retiro”, ku Recife i luan ndeshjet si vendëse. Zgjidhja e Marivaldos për të shkuar në stadium është duke ecur, ndonëse ky udhëtim zgjat pothuajse 12 orë.

“Është një zgjedhje personale. Më pëlqen dhe ndihem mirë. Shumë njerëz gabimisht mendojnë se këtë ecje e bëj për shkak të një premtimi apo diçka të tillë, por nuk është kështu. Unë e bëj këtë natyrshëm. Unë largohem nga shtëpia në mëngjes dhe në stadium arrij natën”, ka thënë Marivaldo.

“Ndonjëherë unë nisem një ditë para ndeshjes për të qenë në gjendje të kaloj kohë më shumë në stadium, të shikoj lojëra të tjera ose thjesht të qëndroj aty, gjë që është shumë e mirë. Njerëzit thonë se jam i çmendur, por unë e bëj atë për qejf dhe nuk ndiej fare lodhje”.

Rrëfimi i tifozit brazilian ka bërë bujë në të gjithë globin dhe së fundmi ai është nominuar nga FIFA për çmimin “FIFA Fan Award 2020”. Nëse më 17 dhjetor, kur edhe do të ndahen çmimet e FIFA-s, Marivaldo e fiton këtë çmim për tifozë, do të jetë shumë i veçantë për të. Ky çmim do të ishte si ngushëllim për periudhën e vështirë që po e kalon Marivaldo muajt e fundit. Përhapja e pandemisë së koronavirusit ka bërë që stadiumet e futbollit të Brazil të mbyllen për tifozët. E për t’ia vënë kapakun gjithë kësaj, pandemia COVID-19 ka bërë që biznesi i tij – një dyqan i vogël – të bankrotojë. Ai ka mbetur pa para dhe 47-vjeçari tani po jeton me të ëmën e tij pensioniste.

“Nominimi nga FIFA do të thotë gjithçka për mua, shumë më tepër nga sa e imagjinoja. Edhe pse, edhe pa të, unë do të shkoja në këmbë në stadiumin e Recifes me kënaqësinë më të madhe, pasi sporti është arsyeja ime për të jetuar”, pranon Marivaldo. “Këtë nominim ua kushtoj të gjithë njerëzve që më kanë shoqëruar apo mbështetur në ecjet e mia deri në stadium, ku më bëjnë pritjen më të ngrohtë të mundshme. Nuk kam fjalë për të përshkruar se çka do të thotë Recife për mua”.

Edhe te ekipi brazilian ndihen të nderuar me tifozin e veçantë, Marivaldon. Drejtuesit e klubit ka kohë që atij i kanë siguruar anëtarësim të përhershëm dhe Marivaldo gjithmonë do ta ketë të garantuar biletën e tij për ndeshjet që Recife i luan në stadiumin “Ilha do Retiro”. Marivaldo thotë se që nga fëmijëria ka qenë tifoz i skuadrës së Recifes dhe sebep për këtë ishte bërë babai i tij. Mirëpo ecja e tij nga shtëpia për në stadium ka filluar para tre vjetësh.

“Këtë dashuri e kam trashëguar nga babai im. Shtëpia jonë ishte e gjitha kuqezi. Muri, karriget, frigoriferi, divani dhe çdo pajisje tjetër ishte me ngjyrat që simbolizonte klubin. Gjithmonë më ka pëlqyer të shkoja në stadium, ta shikoja Recifen, por jetoja në Pombos, dhe shumë herë nuk mund ta përballoja. Pastaj një ditë mendova: ‘Zoti më dha dy këmbë, më dha një gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk do të humbas asnjë lojë te Recifes”, kujton Marivaldo. “Kjo ishte në vitin 2017 dhe që nga atëherë nuk kam ndaluar së shkuari në ndonjë lojë. Unë vazhdimisht kam ecur dhe nuk do të ndalem. Mirëpo pandemia ka vështirësuar gjërat edhe pse thellë besoj se gjërat do të normalizohen së shpejti dhe do të mund sërish të vazhdoj ecjen time nga Pombosi te stadiumi i Recifes”.

Sport Club do Recife është ekip elitar që garon në Serie A të Brazilit dhe aktualisht është në pjesën e poshtme të tabelës në këtë sezon. Ka 25 pikë pas 23 ndeshjeve të luajtura dhe zë vendin e 16-të.