Sport

Grosjean “pa vdekjen” me sy

Piloti i Formula 1, Romain Grosjean, thotë se mendimi për fëmijët e tij e frymëzoi atë që të largohej dhe shpëtonte nga bolidi i tij që digjej pas një përplasjeje të tmerrshme në garën për Shpërblimin e Madh të Bahrejnit të dielën. Incidenti ndodhi në kthesën e tretë të xhiros së parë ndërsa Grosjean u përplas në barriera pas kontaktit me bolidin e pilotit Daniil Kvyat. Francezi Grosjean tha se ai “pa vdekjen duke ardhur”, pasi bolidi u nda në gjysmë dhe u përfshi menjëherë nga flaka. Pamjet dramatike të drejtpërdrejta treguan se francezi u hodh nga rrënojat e djegura të bolidit dhe tha se ishin në pyetje vetëm 28 sekonda para se të vdiste. Më pas, ai u dërgua në spital që të trajtohet për djegie të duarve. Skuderia Haas ka konfirmuar se Grosjean u lirua nga spitali të mërkurën dhe do të qëndrojë në këtë vend për të marrë trajtim privat për djegiet e tij. Duke folur për aksidentin, Grosjean thotë se shumë gjëra i kaluan nëpër mend ndërsa ishte ulur në rrënojat e bolidit, përfshirë këtu edhe Niki Laudan - një ish-pilot i Formula 1 që pësoi djegie të rënda pas një përplasjeje gjatë garës për Shpërblimin e Madh të Gjermanisë në vitin 1976.

“Mendova se nuk ishte e mundur të përfundoja ashtu, jo tani. Nuk mund ta përfundoja historinë time në Formula 1 në atë mënyrë. Mendova për fëmijët e mi dhe i thashë vetes që duhej të dilja jashtë. Unë vura duart në zjarr, kështu që qartë e ndjeva djegien e tyre”, thotë Grosjean. “Unë kisha më shumë frikë për familjen dhe miqtë e mi, padyshim fëmijët e mi që janë burimi im më i madh i krenarisë dhe energjisë, sesa për veten time në fund të fundit. Unë mendoj se do të më duhet punë psikologjike, sepse unë me të vërtetë pashë vdekjen duke ardhur”.

Grosjean ka kredituar pajisjen e sigurisë “Halo” për shpëtimin e jetës së tij të dielën, duke pranuar se ai nuk ishte adhuruesi i saj më i madh kur u prezantua për herë të parë në vitin 2018. “Halo” është një pajisje për mbrojtjen e titanit që është e detyrueshme për të gjitha makinat në Formula 1. Ajo mbron kabinat e pilotëve dhe mund të përballojë peshën e një autobusi dykatësh, sipas F1. Pas arratisjes së tij të mrekullueshme, Grosjean thotë se ai është i vendosur të marrë pjesë në garën e fundit të sezonit, që do të mbahet në Abu Dhabi më 13 dhjetor, në atë që mund të jetë e fundit në një bolid të Formulas 1. 34-vjeçari, është pa një vend për vitin e ardhshëm pasi skuderia Haas njoftoi në muajin tetor se Grosjean dhe shoku i tij i skuadrës Kevin Magnussen do të largoheshin në fund të sezonit 2020.

“Ekziston nevoja të kthehem në bolid, nëse është e mundur në Abu Dhabi, për ta përfunduar historinë time me Formulan 1 në një mënyrë tjetër”, shtoi ai.

Në fakt, Grosjean ka thënë se ka rilindur pasi i shpëtoi vdekjes në shtegun e Bahrejnit dhe këtë moment insiston se do të mbajë në mend gjatë tërë jetës së tij.

“Ishte pothuajse si një lindje e dytë. Të dilja nga flakët atë ditë është diçka që do të shënojë jetën time përgjithmonë”, shtoi Grosjean. \ CNN