Mauricio Pochettino është kandidati kryesor për të zëvendësuar Zinedine Zidanen në postin e trajnerit te Real Madridi, ka njoftuar “Marca” të mërkurën.
Mësohet se madrilenët tashmë kanë kontaktuar Pochettinon pas rezultateve të dobëta të Zidanet këtë edicion.
Në pesë ndeshjet e fundit, Real Madridi ka regjistruar tri humbje, një barazim dhe një fitore, rezultate këto që nuk janë pritur aspak mirë nga drejtuesit e klubit.
Zidane ka kontratë me Realin deri në vitin 2022 dhe nëse në tri ndeshjet e ardhshme: me Sevillan, Borussia Moenchengladbachun e Atletico Madridin nuk shënon fitore, atëherë do të shkarkohet. Pochettino është i papunë prej se u largua nga Tottenhami vitin e shkuar dhe te Reali po shihet si zgjidhje e duhur.
Në rast se dështon marrëveshja me Pochettinon, atëherë Raul Gonzales, që është trajner i ekipit të dytë të Realit, mund ta zëvendësojë Zidanen deri në fund të këtij edicioni.