Sport

Kosova pa lojtaren kryesore në ndeshjen ndaj Holandës

Futbollistet e përfaqësueses së Kosovës të dielën janë vendosur në Breda të Holandës ku e luajnë ndeshjen e fundit në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit 2022. Selektorja Afërdita Fazlija ka mbajtur menjëherë të dielën një stërvitje në prag të ndeshjes shumë të vështirë me Holandën.

Holanda aktualisht është superfuqi e futbollit të femrave. I ka fituar të gjitha nëntë ndeshjet kualifikuese në Grupin A dhe prinë me 27 pikë. Holandezet janë favorite të mëdha për fitore ndaj Kosovës. Kosova është e katërta me 10 pikë nga nëntë ndeshje.

Ndeshja Holandë – Kosovë luhet të martën nga ora 18:30. Në Prishtinë holandezet kishin fituar 6:0. Në ndeshjen në Breda, Kosova do të jetë pa lojtaren kryesore, Erëleta Memeti. Kosovës i mungojnë edhe lojtare të tjera.

“Erëleta Memeti u detyrua të kthehet te skuadra e saj në Gjermani, pasi kishte leje vetëm për ndeshjen kundër Rusisë”, ka njoftuar FFK-ja.