Emisioni sportiv në KTV, “Sporti Total”, si çdo të diel, nis në orën 22:15 dhe këtë fundjavë do të jetë më i veçantë. Pavarësisht problemeve me të cilat janë përballur sportistët në vitin 2020 për shkak të pandemisë, nuk kanë munguar sukseset nga sportistët kosovarë.
Ata kanë shënuar suksese të shumta në gara ndërkombëtare për të rinj e seniorë. E, si çdo vit tjetër, Grupi KOHA do t’i shpallë më të mirët e vitit të vështirë nëpër të cilin kemi kaluar. Të dielën do të bëhen të ditur emrat e sportistëve më të dalluar të vitit 2020.
Grupi KOHA e ka përzgjedhur panelin e njohësve të sporteve të ndryshme dhe në bazë të votave të tyre do t’i përzgjedhë më të dalluarit në shtatë kategori. Sportisti më i mirë i ri i vitit, sportistja më e mirë e re e vitit, klubi më i mirë i vitit te meshkujt, klubi më i mirë i vitit te femrat, sportisti më i mirë i vitit, sportistja më e mirë e vitit dhe sportisti më i mirë i vitit sipas votimit në internet, janë shtatë kategoritë nëpër të cilat do të radhiten sportistët e rinj e seniorë të Kosovës.
Ndërkohë, Grupi KOHA, veç kategorive të përmendura, do të ndajë edhe të tjera çmime. Çmimi “Majlinda Kelmendi”, mirënjohje për vepër jetësore post mortem dhe punëtori sportiv i vitit, do të hyjnë në ceremoninë e këtij viti që do të mbahet në studiot e Kohavisionit, pa praninë e mysafirëve dhe sportistëve për shkak të parandalimit të koronavirusit.
Ceremonia e “Sportistit të Vitit 2020” do të mbahet më vonë, më 27 dhjetor. Ndërkohë, me mysafirë në studio do të diskutohet edhe për xhiron e 14-të të Superligës së Kosovës në futboll. Nuk do të mungojnë raporte interesante për sportistët vendorë e ndërkombëtarë, ndërsa do të përcillen me kujdes edhe sukseset e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.
Minuta do të ketë edhe për raporte të tjera ndërkombëtare, në veçanti për vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona.