Sport

Lewis Hamiltoni në Bahrejn e fiton “pole-position” e 98-të në karrierë

Kampioni i Botës në Formula 1, Lewis Hamilton, do të niset i pari në Çmimin e Madh të Bahrejnit. Nga kjo pozitë, ai do të niset për herën e 10-të në sezon, pasi në kualifikime doli sërish më i suksesshmi. Për Hamiltonin ishte edhe “pole-position” numër 98 në karrierë.

Hamiltoni i cili e fitoi titullin e shtatë në Turqi para dy javësh, ishte më i shpejtë se vozitësi tjetër i skuadrës së Mercedesit, Valtteri Bottas, transmeton KOHA.

Max Verstappen të shtunën me Red Bullin, që ishte rreziku kryesor për Mercedesin para garës së të shtunës, e zuri vendin e tretë.

Ndërkohë, vozitësi tjetër i Red Bullit, Alexander Albon, u rikthye pas përplasjes së madhe që e pati të premten, dhe përfundoi në vendin e katërt.

Top pesëshen e plotësoi Sergio Perez me Racing Pointin, para dyshes Daniel Ricciardo dhe Esteban Ocon.

Ndërkohë, Ferrari me Sebastian Vettelin dhe Charles Leclercun do të niset nga vendi 11 dhe 12-të.