Sport

Pas dëshpërimit me Sllovakinë, Kosova shpreson për fitore ndaj Islandës

Pas humbjes së thellë nga Sllovakia, në kuadër të rundit të parë të parakualifikimeve për Botërorin 2023 në basketboll te Përfaqësuesja e Kosovës besojnë në një paraqitje më të mirë ndaj Islandës. Madje, përzgjedhësi i Kosovës, greku Christos Marmarinos, ka insistuar se synimi i “Dardanëve” kundër Islandës është fitorja, sikurse në çdo ndeshje tjetër.

Kosova të enjten u mposht nga Sllovakia (91:76) në Bratislavë, ku po zhvillohen ndeshjet e këtij muaji të Grupit B të parakualifikimeve evropiane. Ndërsa të shtunën prej orës 16:00, Kosova do të përballet me Islandën në të njëjtën palestër, “Eurovia Arena”, në të cilën luajti me Sllovakinë. Për dallim prej Kosovës, Islanda të enjten triumfoi në duelin tjetër të grupit kundër Luksemburgut (90:76).

“Synimi ynë ndaj Islandës është i ngjashëm si në çdo tjetër, të fitojmë. Do të mundohemi të japim më të mirën nga vetja për të arritur këtë synim”, është shprehur shkurt Marmarinos.

Kosova Islanda e Sllovakia kanë pikë të njëjta në tabelë por koshdallimi ka bërë që “Dardanët” të bien në pozitën e tretë pas tri ndeshjeve. Grupit i prin Sllovakia, e përcjellë nga Islanda derisa Luksemburgu është i fundit, pa asnjë fitore në këto parakualifikime.

Dueli i parë ndërmjet Kosovës dhe Islandës, i zhvilluar në muajin shkurt të këtij viti në Prishtinë, pati përfunduar me fitoren minimale të ekipit të Marmarinosit me shifrat 80:78. Kosova shkoi në Bratislavë në fillim të kësaj jave si përfaqësuesja e vetme e pamposhtur, por edhe me mungesa të shumta. Krahas amerikanëve të natyralizuar që nuk u ftuan, Kosova nuk mund të llogaritë as në Dardan Berishën, Lis Shoshin, Gëzim Morinën e Samir Zekiqin.

Edhe basketbollistët e Kosovës kanë pranuar se ndaj Sllovakisë paraqitja ishte e dobët. Ata shpresojnë që gabimet e njëjta mos t’i përsëritin edhe kundër Islandës, që e vlerësojnë si kundërshtare të fortë. Sikurse përzgjedhësi Marmarinos edhe qendra Fisnik Rugova thotë se kundër Islandës do të kërkohet fitorja.

“Në ndeshjen me Sllovakinë kemi bërë gabime të shumta që besoj se nuk do të na përsëriten me Islandën. Kjo ndeshje është si finale për ne, për shkak se shton gjasat tona për kualifikim dhe për këtë arsye, do të bëjmë të pamundurën për të triumfuar”, ka theksuar Rugova.

Krahas Kosovës, në parakualifikimet për Botërorin e vitit 2023 po paraqitet edhe Kombëtarja e Shqipërisë që bën pjesë në Grupin A, në të cilin renditet e treta me katër pikë të tubuara pas tri ndeshjeve të luajtura. Edhe Shqipëria pësoi humbje të thellë të enjten ndaj Bjellorusisë (90:50), kurse të shtunën do të përballet me Portugalinë prej orës 19:00. Ndeshjet e këtij grupi po luhen në Portugali.