Sport

Viti i harruar i Maradonas te Sevilla

Descriptive Text

Argentinos Juniors, klubi i tij i parë, e ka quajtur stadiumin e vet me emrin e tij. Në Boca Juniorsin e tij të dashur, ku ai luajti në dy periudha dhe mban një pozitë ekzekutive, tifozët ende e thërrasin emrin e tij. Në Evropë ai mbahet mend për transferimin e tij dhe thyerjen e rekordit botëror kur kaloi te Barcelona dhe më pas kalimin te Napoli, ku ai u bë një fitues i Kupës së Botës dhe një legjendë e klubit, shkruan Sky Sports.

Por para se të kthehej në Argjentinë, Diego Armando Maradona kishte një ndalesë të fundit në aventurën evropiane. Është sezoni i tij i harruar. Fundjava e tij e humbur. Është historia e Maradonas në Sevilla. Koha e tij në Andaluzi përshkruhet në mënyrë rutinore si e harruar dhe është e lehtë të kuptohet pse një sezon që nuk solli asnjë trofe mund të injorohet. Këtu nuk kishte lavdi, por kishte shpresë. Ndërsa Maradona u fut brenda në zhveshtore, ai këndoi se Sevilla ishte kampione. Ishte fantazi. Titulli i vetëm kishte ardhur gati gjysmë shekulli më parë. Klubi nuk kishte qenë në katër të parët për më shumë se 20 vjet. Por kishte një precedent. Napoli nuk kishte qenë kurrë kampion i Italisë dhe Maradona ia kishte siguruar dy tituj kampioni atje. Sevilla ishte një qytet tjetër jugor me dizajnë për ndryshimin e rendit natyror. Maradona po kthehej nga një suspendim prej 15 muajve për përdorimin e kokainës, por ai ishte vetëm 31 vjeç. Kishte kohë për një kapitull tjetër të lavdishëm dhe ai ishte duke u ribashkuar me Carlos Bilardon, trajnerin e Sevillas dhe njeriu që kishte udhëhequr Argjentinën në triumfin e Kupës së Botës në vitin 1986. Këtë herë nuk funksionoi, por vetëm pas një sezoni kaotik në të cilin Maradona i adhuroi shokët e tij të skuadrës dhe tërboi shefat e tij. Ishte një përrallë e luftërave me dema dhe e mashtrimeve me topa, detektivëve privatë dhe ahengjeve publike. Dhe, një paraqitje e shkurtër të asaj magjie të vjetër të Diegos.

Historiku

Bilardo e dinte se puna e tij do të ishte e vështirë kur u paraqit në Sevilla, në verën e vitit 1992. Klubi sapo kishte përfunduar në pjesën e poshtme të La Ligas.

“Ne duhet të pranojmë që kampionati do të luftohet për ca kohë ndërmjet Realit dhe Barcës”, tha ai.

Por trajneri dinak i vjetër kishte një plan. Ai ishte duke shkuar atje për të nënshkruar Maradonan. Ikona argjentinase, njeriu përreth të cilit Bilardo e kishte ndërtuar ekipin në Kupën Botërore në Meksikë gjashtë vjet më parë, po vuante një pezullim në të gjithë botën nga futbolli për drogë dhe nuk kishte ndërmend të kthehej në Napoli. Por klubi nuk e liroi atë. Presidenti i Sevillas, Luis Cuervas, kishte premtuar të transferonte Maradonan por një ofertë prej 2.5 milionë funteve u refuzua. Bilardo madje kërcënoi të largohej nga Sevilla nëse ylli i tij nuk do të arrinte, por sezoni filloi pa të. U desh ndërhyrja e Sepp Blatterit dhe FIFA-s për t’u arritur një marrëveshje. Ata ishin të interesuar që Maradona të kthehej në kohën e duhur për Kupën e Botës të vitit 1994. Një takim pesorësh në selinë e FIFA-s, me ndërmjetësimin e Blatterit, ndihmoi në arritjen e një marrëveshjeje. Pjesa më e madhe e tarifës prej 4.5 milionë funteve do të mbulohej nga kompania italiane e mediave në pronësi të Silvio Berlusconit me garantimin se Sevilla e Maradona do të angazhoheshin për të luajtur një seri miqësore të shfaqjeve në të gjithë botën. Në fund të shtatorit 1992, Diego arriti në Sevilla.

Fillimi

Ekspozita e Sevillas u mbajt gjatë tërë verës ku festohej 500-vjetori i Christopher Columbusit që kishte lundruar për në botën e re nga lumi Guadalquivir i qytetit. Ajo u mbyll brenda disa javësh nga ardhja e Maradonës. Kishte një cirk të ri në qytet. Në vitin 1988, kur luante për Argjentinën në Sevila, Maradona kishte thënë se ai preferonte tifozët e rivalëve të Sevillas, Real Betis, por kjo shpejt u harrua. Disa ditë pas mbërritjes së tij, anëtarësia e Sevillas ishte rritur nga 26,000 në 40,000. Klubi përfitoi 2.2 milionë funte nga shitja e biletave. Bilardo u shpjegoi lojtarëve situatën në një takim të famshëm të ekipit. Ai dhe ata ishin në prapavijë tani. Kjo ishte shfaqja e Maradonas, por nëse ata kishin besim në gjenialitetin e tij, atëherë ky udhëtim i egër mund të bëhej special. Askush nuk ishte gati të argumentonte. Manolo Jimenez menjëherë dorëzoi shiritin e kapitenit. Sipas fjalëve të mbrojtësit Juan Martagon, askush nuk mund ta imagjinonte Maradonan pa shiritin në krah. Stërvitja u zhvendos nga mëngjesi në pasdite me udhëzimin e Bilardso. Shumë dyshuan se kishte edhe një arsye tjetër. Zakonet e jetës së natës të Maradonas nuk do të ndryshonin. Ai u paraqit me një mbrojtje të konsiderueshme dhe, ndërsa ishte ende duke jetuar në një hotel të qytetit, përplasi Mercedesin e tij në orën 02:00 të mëngjesit. Shpejt më pas, ai u zhvendos në vilën e Juan Antonio Ruiz Roman, e luftëtarit më të famshëm të demave në botë, i cili quhej me pseudonimin “Spartacus”. Matadori i vërtetë ishte këtu tani.

Fishekzjarrët dhe miqësoret

Filloi me një ndeshje ndaj Bayern Munchenit më 28 shtator të vitit 1992. Maradona bëri magjinë e tij dhe Sevilla fitoi 3:1 Bayernin e mbushur me yje.

“Ishte një miqësore”, kujton ish-bashkëlojtari Jose Miguel Prieto. “Mirëpo, nuk ishte vetëm ndonjë lojë. Ishte një shfaqje e shkëlqyeshme”.

Kishte shumë miqësore atë vit. Lazio i Paul Gascoignet ishte kundërshtari në muajin nëntor, me anglezin që shënoi në barazimin 1:1. Maradona gati sa nuk i siguroi Sevillas fitoren, fillimisht me një gjuajtje me gërshërë dhe pastaj në minutat shtesë nga gjuajtje e lirë qëlloi traversën. Kishte ndeshje kundër Sao Paulos dhe Portos. Kundër Galatasarayt në Stamboll, ku turmat bllokuan qytetin nga prania e Maradonas. Ndoshta, miqësorja më e paharrueshme nga të gjitha ishte ajo kur Maradona u kthye në Buenos Aires për një lojë kundër klubit të tij të vjetër, Boca Juniorsit.

“Unë nuk kisha parë fanatizëm derisa e përjetova dhe e pashë vetë”, tha Prieto.

Ndërkohë në La Liga, Maradona mezi priste të argëtonte publikun. Ai shënoi penalltinë fituese në debutimin e tij në kampionat kundër Real Zaragozas, por ajo lojë kujtohet më mirë për momentin kur ai dalloi një folie ngjyrë metalike prej kallaji kur vrapoi për të marrë një goditje nga këndi. Ajo ishte shndërruar në një top dhe kjo ishte e gjithë ftesa që i duhej. Ai e mori atë dhe filloi të bënte zhonglime për të kënaqur tifozët e Sevillas. Ishte Diego i vjetër.

“Ai e bëri atë disa herë në stërvitje”, thotë ish-bashkëlojtari tjetër Rafa Paz. “Ai nëse do të shihte një limon në tokë, do ta merrte me këmbë dhe do ta mbante në ajër derisa të mërzitej. Imagjinoni pjesën tjetër të ekipit. Kishte nga ata që u përpoqën kur Diego nuk ishte aty. Ishte e pamundur”.

Bashkëlojtarët

Nuk ishte aspak e habitshme se bashkëlojtarët e Maradonas te Sevilla e shihnin praninë e tij si një dhuratë. I shoqërueshëm dhe bujar, ai u bë i dashur për ta që nga fillimi. Monchi më vonë u bë drejtori sportiv i klubit dhe kujton një moment me Maradonan. Monchi kishte një orë false “Rolex”, kurse Maradona këtë e kishte vënë re dhe menjëherë ia kishte blerë një të vërtetë. Të tjerëve u dha fanella ose mundësinë për të marrë një nga makinat e tij të shpejta për një xhiro. Kishte darka dhe festa të natës vonë.

“Ishte gëzim dhe lumturi”, tha Diego Simeone, trajneri i Atletico Madridit dhe shoku argjentinas, i cili ishte atëherë një mesfushor i ri te Sevilla. “Ardhja e Maradonas në Sevilla në atë kohë ishte një hap shumë i rëndësishëm, një moment i madh për ekipin. Shumë nga djemtë e rinj ndiheshin të mbrojtur prej tij. Kjo na bëri të rritemi dhe unë jam mirënjohës për kohën që e kam përjetuar si lojtar me Maradonan”.

Jo të gjitha momentet kryesore ishin jashtë fushës. Monchi e pranon që Maradona po vepronte me rreth 30 për qind të kapacitetit të tij për shkak të problemeve me peshën pas një pushimi të gjatë, por edhe me 30 për qind ai ishte shumë larg nga kundërshtarët e tij. Një ndeshje kundër Sporting Gijonit ende mbahet mend me dashuri. Fitorja 2:0 ndaj Real Madrid në dhjetor u frymëzua nga Maradona gjithashtu. Maradona e kishte udhëzuar berberin e tij që t’ia bënte prerjen e të flokëve si në Botërorin “Meksika 1986” dhe në muajt e parë ai bëri një përshtypje të mirë si lojtar. Davor Shuker shënoi golin e epërsisë së Sevillas atë mbrëmje kundër Realit, ekip më të cilin në vitin 1998 do ta fitonte Ligën e Kampionëve para se të bëhej golashënuesi më i mirë në Botërorin 1998.

“Kur isha fëmijë e shihja Diegon në televizion në dhomën time”, do të kujtonte më vonë sulmuesi kroat. “Papritmas e gjeta veten duke ndarë mëngjesin, stërvitjen dhe dhomën me të. Shpresoja se do të më mësonte diçka dhe më në fund më thirri. Ai tha: ‘Unë nuk dua që ti të vraposh anash. Thjesht mbaje kokën ulur, vrapo drejt portierit dhe unë do të ta jap atje topin. Shumë pak lojtarë në botë mund ta thonë këtë, por ai ishte njëshi. Nëse i shikoni golat e mi te Sevilla, ata gjithmonë vinin në të njëjtën mënyrë. Është diçka që do të qëndrojë me mua përgjithmonë”.

Mst: Problemi

Sevilla ishte në pjesën e epërme të tabelës në La Liga dhe ishte në pozitë të mirë për të siguruar një vend të Evropë. Fatkeqësisht kjo nuk zgjati. Problemet ishin gjatë këtij rrugëtimi dhe për ironi të fatkeqësisë burimi i tyre ishte arsyeja pse Blatteri dhe të tjerët kishin kërkuar që Maradona përsëri të kthehej në veprim. Maradona menjëherë e rifitoi ftesën për t’u kthyer te Përfaqësuesja e Argjentinës. Përzgjedhësi i Argjentinës, Alfio Basile, thjesht nuk mund ta injoronte atë më. Pas dy vitesh larg ekipit, Maradona u rikthye për një seri të ndeshjeve miqësore dhe ishte i tronditur nga emocionet. Sevillas kjo nuk i pëlqeu aspak. Ndeshjet në La Liga do të vazhdonin dhe ai ishte i nevojshëm për klubin e tij për një ndeshje kundër Logronesit. Por Maradona u largua pa lejen e klubit.

Marrëdhënia nuk u rikuperua kurrë. Të pakënaqur me këtë veprim, vizitat në stërvitje u bënë më pak të shpeshta. Ai ishte të paktën 12 kilogramë mbipeshë dhe klubi filloi të komplotonte strategjinë e largimit të Maradonas. Kishte raporte që ai po gjurmohej nga një detektiv privat - një dosje që po ndërtohej dhe do ta shihte klubin të lirohej nga paga e tij.

Maradona u kap nga policia duke vozitur veturën e tij të tipit “Porsche” me shpejtësi të madhe nëpër qytet. Ky ishte edhe zbërthimi pasi prej atij momenti Sevilla e konsideroi Maradonan si çështje të zgjidhur.

Përfundimi

Krisja përfundimtare erdhi në ndeshjen e fundit të Maradonas në shtëpi, një barazim 1:1 kundër ekipit Burgos. Në fillim të pjesëlojës së dytë, trajneri Bilardo e zëvendësoi yllin e tij dhe Maradona mori një goditje të fortë edhe nga tifozët që e vërshëllyen. Ai më kurrë nuk luajti për Sevillan dhe u largua në qershor të vitit 1993, me ekipin që përfundoi në pozitën e shtatë në La Liga dhe mbeti jashtë garave evropiane. Akti i tij i fundit ishte të paraqiste një padi ligjore për shkak të pagave të papaguara që Maradona ndjeu se i detyroheshin në kontratën e tij. Ishte një fund i trishtueshëm i një aventure që kishte filluar me një optimizëm të madh, por që në fund të fundit solli vetëm 26 ndeshje dhe pesë gola. Ai të paktën arriti të merrte pjesë për herën e katërt në Kampionatin Botëror (1994), duke shënuar një gol fantastik kundër Greqisë, por shumë shpejt u dërgua në shtëpi me turp, për doping. Edhe atëherë, ndonëse vetëm një vit, koha e tij në Sevilla ishte vetëm një kujtim i shpejtë. Por për ata që e përjetuan atë kohë, e mbajnë si kujtim të përjetshëm. Siç shprehet Rafa Paz, shoku i vjetër u Maradonas nga ai sezon, ekipi nuk fitoi asgjë, por thjesht duke luajtur së bashku me Diego Maradonan e krijoi ndjenjën si të fitonte një trofe.