Sport

Prishtina fundos edhe më tej Llapin, 89-shi u kthehet fitoreve

Prishtina fundos edhe më tej Llapin, 89-shi u kthehet fitoreve
 

Skuadra e Llapit assesi ta marrë veten këtë sezon. Ekipi i drejtuar nga trajneri Tahir Batatina pësoi humbje edhe në ndeshjen e xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në futboll nga Prishtina. Dueli i luajtur të mërkurën në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, përfundoi me rezultatin 2:0 në të mirë të ekipit mysafir. Për Llapin, kjo ishte humbja e dytë rresht dhe e nënta këtë edicion në 13 ndeshje të zhvilluara, ku ka regjistruar edhe dy fitore e dy barazime. Renditet në pozitën e parafundit në tabelë me tetë pikë të mbledhura, dy më shumë se Besa e Pejës që zë vendin e fundit, dhe të mërkurën pësoi humbje si mysafire e Trepçës ’89 me shifrat 4:2. Mesfushori Endrit Krasniqi (75’) dhe sulmuesi Leotrim Kryeziu (90’+1) shënuan golat për fitoren e Prishtinës që regjistroi triumfin e dytë rresht dhe renditet në pozitën e katërt në tabelë me 21 pikë të grumbulluara.

“Më vjen mirë që fituam ndaj Llapit pasi kemi bërë ndeshje të tilla të mira, por që nuk fitonim në fund. Ndaj Llapit e kishim kontrollin e lojës, posedimin e topit dhe rezultatin gjatë gjithë kohës. Në pjesën e parë patëm kujdes ndaj kundërshtarit, kurse në të dytën sulmuam dhe i gjetëm golat. Uroj lojtarët për fitoren, ndonëse nuk kemi bërë diçka të madhe, por jam i lumtur që kemi gjetur formën dhe rezultatet e mira”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani.