Sport

Tre vjet më parë FBK-ja e kishte suspenduar, tani Drilon Hajrizi “gradohet” në kapiten

Shumë lavde i ka thurur Federata e Basketbollit e Kosovës të dielën basketbollistit Drilon Hajrizi. Ka më shumë se një dekadë që Hajrizi është prej basketbollistëve më të mirë në vend. Të dielën i është bërë nderi më i madh i mundshëm – është zgjedhur kapiten i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Vetë Hajrizi ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë më krenar.

Respekti që tani FBK-ja ka për Hajrizin është në kontrast me raportin që drejtues të Federatës kishin ndaj tij tre vjet më parë. Ai ishte suspenduar fillimisht e më pas edhe ishte ndalur ushtrimi i aktivitetit në basketboll për gjashtë muaj.

FBK-ja kishte vendosur për masë të rëndë disiplinore ndaj Hajrizit për një rast që ndodh në shumë ekipe e në shumë përfaqësuese. Por derisa shumica e ekipeve dhe përfaqësueseve i zgjedhin situatat e tilla në formë interne, FBK-ja kishte vendosur të dënonte Hajrizin dhe kësaj t’i jepte goxha bujë.

Tani të njëjtin lojtar, FBK-ja e ka bërë kapiten të Përfaqësueses. Në të vërtetë, ka kohë që Hajrizi është prej basketbollistëve kryesorë edhe te Kosova. Sidomos në ndeshjet e muajit shkurt është dalluar me paraqitje cilësore.

Ai është edhe kapiten i Kosovës, ndërsa gjurmë ka lënë sidomos te Trepça. Mitrovicasi Hajrizi do të jetë kapiten në mungesë të Dardan Berishës.

“Drilon Hajziri do të jetë kapiten i Kosovës në ndeshjet ndaj Sllovakisë dhe Islandës. Hajrizi është zgjedhur kapiten i Kosovës dhe basketbollisti nga Mitrovica si gjithmonë ka premtuar se do të japë 100 % nga vetja në këto sfida. Ai gjithmonë ka dhënë maksimumin me fanellën e Kosovës. Hajrizi është kapiten i Pejës, derisa ka luajtur edhe për Trepçën, Bashkimin e Sigal Prishtinën, katërshen e madhe të basketbollit të Kosovës dhe ka përvojë edhe nga basketbolli në Japoni”, ka njoftuar FBK-ja. “Në këto dy ndeshje do të mungojë Dardan Berisha, për shkak të infektimit me COVID-19. Berisha gjithmonë ka dhënë maksimumin për Kosovën, megjithatë, përkundër dëshirës së madhe e kishte të pamundur të bashkohej me ekipin për ndeshjet ndaj Sllovakisë dhe Islandës. Këto dy ndeshje do të zhvillohen më 26, përkatësisht 28 nëntor në Bratislavë. Takimet janë të vlefshme në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023”.

Hajrizi ishte kthyer në Përfaqësuese 17 muaj pas pezullimit. Amerikani Brad Greenberg, që kishte iniciuar pezullimin, më nuk ishte në krye të Përfaqësueses. Në vend të tij erdhi Damir Mulaomeroviq, që vendosi të kthehej Hajrizin.

Më 14 shtator 2017 ishte marrë vendimi për të larguar Hajrizin për gjashtë muaj nga basketbolli.

“ Drilon Hajrizit, lojtar i Përfaqësueses A të Kosovës në basketboll, i shqiptohet masa disiplinore "ndalesë kohore i ushtrimit të aktivitetit basketbollistik në të gjitha aktivitetet e organizuara nga FBK-ja në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj”, thuhej në vendim.

Procedura ndaj tij ishte iniciuar më 13 gusht të atij viti. Greenberg kishte iniciuar procedurën me arsyetim se “Hajrizi gjatë parakualifikimeve për Kupën e Botës, më saktësisht në ndeshjen kundër Maqedonisë në Shkup, me anë të sjelljeve jo të mira, duke qenë shembull jo i mirë i bashkëlojtarëve, ka bërë veprime me të cilat ka dëmtuar autoritetin e Përfaqësueses A”.

Pas përfundimit të dënimit, Hajrizi ishte kthyer në basketboll dhe vazhdon të jetë prej lojtarëve kryesorë në Superligë dhe në Përfaqësuese.

Ai të dielën nuk ka dashur të flasë për dënimin që kishte më herët nga FBK-ja. Ka folur për krenarinë që ndien për zgjedhjen kapiten.

“Të jesh kapiten i Kosovës është ndjenja më e mirë që kam pasur deri më tani në karrierën time si basketbollist. Është një krenari e madhe të udhëhoqi ekipin e Kosovës, në ndeshjet parakualfikuese. Është një përgjegjësi e madhe dhe një nder të jem kapiten i Kosovës. Mund të them se unë dhe bashkëlojtarët e mi do të japim maksimumin për të arritur rezultate pozitive në këto dy takime. Përkundër disa mungesave të mëdha të cilat i kemi, besoj fuqishëm se do të arrijmë rezultate pozitive”, ka thënë Hajrizi për KOHËN.

Kosova tashmë është grumbulluar për ndeshjet që i luan javën e ardhshme.