Basketbollistët e Trepçës kanë regjistruar edhe fitoren e dytë rresht në Superligën e Kosovës në basketboll pasi kanë triumfuar me rezultat të ngushtë në udhëtim ndaj Vëllaznimit. Ndeshja e luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “Shani Nushi” të Gjakovës është mbyllur me rezultatin 80:76 në të mirë të ekipit mysafir dhe i ka takuar xhiros së tretë.
Për Vëllaznimin, që është kthyer në elitë pas tre vjetësh, kjo është humbja e tretë këtë edicion karshi një fitoreje të regjistruar javën e shkuar. Ndeshja kryesisht ishte e barabartë, por Trepça nisi një shkëputje të vogël në rezultat në minutat e fundit të çerekut të katërt, epërsi që arriti ta mbajë deri në fund të ndeshjes. Amerikani Mojeed Ewuosho ka udhëhequr Trepçën drejt këtij triumfi me 26 pikë të shënuara, derisa kanë kontribuar edhe Kalin Fisher (19), Valdrin Haxhiu (15) e Devin Haygoog (11). Në anën tjetër, Vëllaznimit nuk i ndihmuan tre amerikanët që ishin më të dalluarit në këtë përballje. Cendric Council ndeshjen e mbylli me 27 pikë, Devante Jackson pati 18 pikë, derisa fundori Christopher Hortman regjistroi “double-double” prej 11 pikëve e 13 kërcimeve.
Me këtë triumf, Trepça ngrihet në pozitën e dytë në tabelë me gjashtë pikë të tubuara, sa i ka edhe Peja që është e para, por ka një ndeshje më pak të luajtur. Në fakt, kjo ishte ndeshja e vetme e luajtur të mërkurën në kuadër të xhiros së tretë, pasi dueli tjetër i paraparë në luhet në palestrën “Karagaçi” ndërmjet Pejës dhe Bashkimit është shtyrë për kohë të pacaktuar. Kjo shtyrje ka ardhur për shkak se dy lojtarë të Pejës kanë rezultuar pozitivë në testin për koronavirus një ditë para ndeshjes. Këto janë edhe rastet e para me koronavirus në edicionin 2020/21 të elitës së basketbollit kosovar që nisi muajin e shkuar. Ndërkohë, xhiroja e tretë do të vazhdojë me dy ndeshjet e tjera të cilat do të zhvillohen të enjten. Skuadra e Sigal Prishtinës, që ka pësuar humbje në dy ndeshjet e fundit, e pret në shtëpi Golden Eagle Yllin që synon këndelljen pas disfatës në Mitrovicë nga Trepça. Ndërsa, Rahoveci do të përballet me Ponte Prizrenin në palestrën “Mizahir Isma”. Të dyja këto ndeshje nisin në orën 19:00.