Brenda dy ditëve, volejbollistet e Dritës së Gjilanit do t’i zhvillojnë dy ndeshje në kuadër të kupave evropiane. Të mërkurën dhe të enjten, Drita në palestrën në Gjilan do të përballet me ekipin nga Çekia, VK Shelmi Brno në kuadër të 1/16 të finales të Cev Cup, që është niveli i dytë evropian.
Të dyja ndeshjet do të nisin prej orës 20:00. Te Drita insistojnë se janë përgatitur mirë për ndeshjet evropiane dhe synojnë që të eliminojnë ekipin çek. Kështu ka insistuar volejbollistja Elvira Bajraktari, që i është bashkuar Dritës para fillimit të këtij sezoni nga skuadra e Skenderajt.
Së bashku me Bajraktarin, ekipit gjilanas i është bashkuar edhe Rukije Muja. Madje, sipas Bajraktarit, është atmosfera e mirë brenda ekipit që i bën optimiste për duelet me VK Shelmyn.
“Për këto ndeshje evropiane kemi punuar me intensitet të lartë, duke e dhënë maksimumin në çdo stërvitje. Mbi të gjitha, nuk duhet anashkaluar edhe pjesën kryesore në ekip, që është atmosfera fantastike dhe pozitive që po mbizotëron”, është shprehur Bajraktari. “Shpresoj të marrim një rezultat pozitiv duke e kaluar këtë fazë dhe të shpërblehemi për punën që e kemi bërë deri më tash. Gjithashtu, shpresoj të kemi edhe fat dhe të përfaqësojmë nivelin e volejbollit të Kosovës ashtu siç i ka hije”.
Skuadra nga Çekia të martën është vendosur në Gjilan, kurse përgatitjet për ndeshjen e parë i ka zhvilluar në Beograd. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, VK Shelmy Brno ka njoftuar të hënën se ekipi ka mbajtur stërvitjen në Beograd dhe pastaj të martën me autobus ka udhëtuar drejt Kosovës.
“Kemi pasur një udhëtim të gjatë deri në Beograd, ku kemi menaxhuar të mbajmë stërvitjen e mbrëmjes në palestrën lokale. Të nesërmen do të zhvendosemi në vendin e ndeshjes, në Gjilan të Kosovës”, ishte njoftimi i ekipit nga Çekia.
Ekipi çek për herën e dytë po merr pjesë në këtë garë evropiane, kurse arsyeja e udhëtimit me autobus është për shkak të situatës së krijuar me koronavirus. Trajneri i ekipit, Ondrej Boula, pret paraqitje dinjitoze të lojtareve të tij dhe beson në kualifikim në fazën tjetër.
“Jam i lumtur që kemi gjetur zgjidhje me kundërshtarin që dy ndeshjet t’i luajmë. Është mëkat që nuk luajmë në shtëpi, por gjithashtu do të luanim pa tifozë për shkak të situatës së krijuar. Ne nuk kemi luajtur ndeshje që nga 10 tetori, por jemi stërvitur vazhdimisht. Jemi në formë të mirë fizike dhe besoj në vajzat e ekipit tim”, është shprehur Boula.
Skuadra VK Shelmy Brno është themeluar vonë, kurse edhe edicionin e shkuar është paraqitur në Cev Cup, por nuk ka pasur ndonjë sukses. Ekipi përbëhet prej lojtareve vendore, të gjitha nga Çekia.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.