Sport

Kosova fton shumë lojtarë, por një pjesë e tyre janë jashtë formës

Betim Fazlijit të St. Gallenit nuk i pritet dita kur do t’i bashkohet Kosovës. E me padurim grumbullimin e pret edhe Mirlind Daku i Ballkanit. Fazliji dhe Daku janë dy emrat e rinj në listën e të ftuarve nga përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes.

Challandesi e publikoi të martën listën prej 27 futbollistëve të ftuar për ndeshjen miqësore kundër Shqipërisë dhe ato të Ligës së Kombeve, me Slloveninë dhe Moldavinë. “Dardanëve” për këto ndeshje u kthehen edhe gjashtë lojtarët: Amir Rrahmani, Hekuran Kryeziu, Idriz Voca, Bernard Berisha, Milot Rashica dhe Vedat Muriqi, që munguan shkaku i rrethanave të ndryshme në duelet e muajit të shkuar. Ndërsa i grumbulluar do të jetë edhe portieri i parë, Arijanet Muriq, që së fundi ka pësuar një lëndim. Për numrin e lojtarëve nuk janë të shqetësuar te Kosova.

Nuk janë shqetësuar edhe për situatën me koronavirus, probleme që i kishin në grumbullimin e kaluar. Por në kampin e Kosovës thonë se janë të shqetësuar me hapësirën e vogël që kanë pasur lojtarët gjatë muajit të fundit nëpër klubet e tyre. Në fakt, kjo situatë ka qenë shqetësuese për Challandesin edhe në ndeshjet e kaluara. Shumë prej lojtarëve kanë pasur rënie të formës. Disa janë kthyer nga lëndimet dhe janë në garë për një vend në klubet e tyre, të tjerët nuk kanë pasur hapësirë shkaku i konkurrencës e disa nuk kanë luajtur fare kohëve të fundit.

Është portieri Muriq që nuk ka luajtur fare me Girnonan në duelet e fundit për shkak të lëndimit. Edhe portieri tjetër, Samir Ujkani, është pa ndeshje. Sulmuesi Vedat Muriqi nuk ka shënuar asnjë gol me Lazion. Golin nuk e ka gjetur as Milot Rashica te Werder Bremeni, derisa Atdhe Nuhiu ka shënuar një gol me APOEL-in. Qendërmbrojtësi Amir Rrahmani nuk ka debutuar ende te Napoli. Pak minuta i ka te Zuerichu Hekuran Kryeziu, kurse shkaku i lëndimit mungon Arbër Zeneli që nuk ka treguar formë të mirë së fundi për Kosovën, pas kthimit nga lëndimi.

“Kur i kemi dërguar ftesat, nuk kemi pasur asnjë problem ose njoftim për ndonjë problem nga klubet. Disa prej lojtarëve nuk kanë pasur minutazhën e duhur dhe të nevojshme për të qenë në formën më të mirë të mundshme, kurse disa të tjerë kanë luajtur pothuajse gjatë tërë kohës. Përzgjedhësi Bernard Challandes ka thënë shumë herë që dera e ekipit është e hapur për të gjithë futbollistët, përfshirë edhe ata të Superlgiës, por duhet pasur parasysh shumë faktorë që ndikojnë që Challandes të përzgjedhë futbollistët”, ka thënë menaxheri i ekipit të Kosovës, Bajram Shala, të martën për KOHËN.

Kosova do të grumbullohet në Durrës të Shqipërisë më 9 nëntor, derisa më 11 nëntor do të luajë ndeshjen miqësore me Shqipërinë në Elbasan, përpara se të përballet me Slloveninë (15 nëntor) në udhëtim dhe Moldavinë (18 nëntor) në shtëpi, në kuadër të Grupit 3 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Ndihmëstrajneri i parë i Kosovës, Muharrem Sahiti, ka theksuar se me shkas janë ftuar shumë lojtarë për tri ndeshjet e këtij muaji. Në listën e Challandesit krahas 27 lojtarëve edhe dy të tjerë janë në listën rezervë: Valmir Sylejmani e Florian Loshaj. Sahiti ka insistuar se janë të kompletuar, por që situata me koronavirus mund t’i ndryshojë gjërat.

“I kemi përcjellë të gjithë lojtarët me vëmendje në klubet e tyre dhe mendoj se forma e tyre është e mirë. Jemi të kompletuar. I kemi tri ndeshje dhe na është dashur t’i ftojmë 27 lojtarë, plus dy t’i lëmë në listën rezervë. Mendoj se jemi të kompletuar për dallim prej herës së kaluar. Me shkas janë ftuar 27 lojtarë pasi jemi edhe në kohë pandemie ku mund të na shfaqen probleme sikurse muajin e kaluar”, tha Sahiti.

Në të vërtetë, Kosova ndaj Greqisë muajin e shkuar pati shumë mungesa, sepse disa lojtarë u detyruan të kthehen direkt nga Italia, ku e luajtën ndeshjen kundër Moldavisë nëpër klubet e tyre për të evituar karantinimin. Gjithashtu Kosova në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve nuk mund të llogaritë në mbrojtësin Betim Fazliji, të cilit ende nuk i është kompletuar dokumentacioni. Por ai do të jetë i gatshëm për miqësoren vëllazërore ndaj Shqipërisë.

“Kundër Shqipërisë mund të luajë pa problem, derisa për ndeshjet e Ligës së Kombeve ende nuk i kam gati dokumentet, të cilat po shpresoj se do të jenë të gatshme brenda kësaj jave apo javës tjetër”, është shprehur Fazliji.