Sport

Gashi synon ta vazhdojë formën e mirë në Zvicër

Statistika prej katër golave dhe dy asistimeve në gjashtë paraqitjet e para të Shkëlzen Gashit te skuadra e Aaraut në këtë edicion, është mbresëlënëse.

Ish-reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë është prej më të dalluarve në rangun e dytë të futbollit zviceran sivjet.

Falë statistikave të tij, skuadra e Aaraut është në vendin e katërt në tabelë.

Në një intervistë dhënë televizionit SRF në Zvicër, ai ka thënë se ka edhe shumë punë për t’u bërë.

32-vjeçari së fundmi realizoi dy gola kundër Xamaxit. Shton se ende nuk është në formën më të mirë.

“Unë e di se ka edhe shumë punë për t’u bërë. Duhen edhe disa ndeshje të tjera për ta arritur formën më të mirë, por jam në rrugë të mbarë”, theksoi Gashi.

Gashi në Zvicër ka pasur sukses të madh. Në vitin 2013 e fitoi Kupën e Zvicrës me Grasshopperin, ndërsa një vit më vonë u bë golashënuesi më i mirë në Superligën e Zvicrës. Karrierë tejet të mirë bëri edhe te Baseli në vitin 2015, kur u shpall kampion.

Në vitin 2016, Gashi shkoi në SHBA, te skuadra e Colorado Rapids.

“Ka qenë një përvojë e rëndësishme, jetësore për mua. Mendoj se SHBA-ja është një vend i shkëlqyeshëm”, vazhdoi Gashi.

Ndërkohë, tani ai pritet të vazhdojë me suksese edhe në “Challenge League”. Nuk e mendon vetëm shënimin e golave.

“Dua të jem një model për të rinjtë. Dhe kjo është e mundur vetëm nëse unë e tregoj me paraqitje të mira”, përfundoi Gashi.