Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Alex Telles, ka dalë pozitiv në testin për Covid-19 por nuk ka simptoma dhe pritet që shpejt të kthehet në aksion, ka thënë trajneri Ole Gunnar Solskjaer.
Telles, i cili arriti në “Old Trafford” nga Porto më herët gjatë këtij muaji, mungoi në barazimin pa gola në fundjavë kundër Chelseat. Ai mungoi edhe në Ligën e Kampionëve në fitoren e thellë të Unitedit 5:0 kundër Leipzigut.
“Telles ka dalë pozitiv për koronavirus dhe do të jetë jashtë për disa ditë”, u ka thënë Solskjaeri gazetarëve të mërkurën pas ndeshjes. “Megjithatë, nuk ka simptoma dhe do të jetë mirë e do të kthehet shpejt”, deklaroi trajneri Solskjaer.
“Dua t’u tregoj se jam mirë, i izoluar dhe do të kthehem me gjithë fuqinë time t’i ndihmoj shokët e ekipit”, ka shkruar Telles në “Instagram”.