Të enjten do të grumbullohet Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Sipas Federatës së Hendbollit të Kosovës, kombëtaren e presin dy ndeshje të vështira në hapje të eliminatoreve për “Euro 2022”.
Në fazën e dytë kualifikuese për Evropianin 2022, Kosova është në grupin e tetë së bashku me Suedinë, Malin e Zi dhe Rumaninë.
“Janë kombëtare të suksesshme, por synimi është i qartë – kualifikimi në ‘Euro 2022’. Nuk do të jetë lehtë por të gjithë janë të vendosur për hapa tutje para. Të mërkurën e ardhshme, më 4 nëntor, Kosova luan në Podgoricë ndaj Malit të Zi”, thuhet në njoftim.
Më 8 nëntor e kombëtarja e Kosovës në hendboll e pret Suedinë në Prishtinë.
“Për shkak të ngritjes që kemi pasur në vitet e fundit, kualifikimet I nisim prej fazës së dytë. Por synojmë ngritje të mëtejme, ndonëse në situatë të vështirë dhe vërtetë sfiduese ku grumbullimi i ekipit më të mirë mbetet në dyshim. Lojtarët e Kombëtares të enjten paradite fillimisht do të testohen për COVID-19. Prej orës 13:00 akomodohen në Hotel International në Prishtinë. Stërvitja e parë është prej orës 18:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet”, thuhet tutje në njoftim.