Sport

Në Drenas takohen skuadrat me shumë ambicie e me pak pikë

Në Drenas takohen skuadrat me shumë ambicie e me pak pikë

Te Feronikeli e shohin ndeshjen me Llapin si shumë të rëndësishme. Dueli mes Feronikelit dhe Llapit zhvillohet të martën (sot) në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas prej orës 14:00 dhe i takon xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll.

Feronikeli kërkon të kthehet te fitorja, që i mungon në shtatë ndeshjet e fundit. Në fakt, Feronikeli nuk di për fitore në kampionat që nga 20 shtatori, kur në kuadër të xhiros së parë e mposhti bindshëm skuadrën e Gjilanit (4:0). Pas asaj fitoreje pasuan katër barazime dhe tri humbje, duke bërë që Feronikeli pas xhiros së tetë të renditet në pozitën e tetë në tabelë me shtatë pikë të tubuara. Nikli e nisi kampionatin me trajnerin Afrim Tovërlani, të cilin e zëvendësoi me Klodian Duron javë më parë. Duro, si trajner i Feronikelit, ende nuk ka regjistruar fitore. Në tri ndeshje të luajtura ka dy barazime dhe një humbje.