Sport

Distria për KOHËN: Medalja olimpike është synimi im kryesor

Xhudistja Distria Krasniqi është e kënaqur me xhudon që ka shfaqur të premten në Grand Slamin e Budapestit, ndërsa ka mirëpritur kthimin e garave të mëdha të xhudos.

Grand Slami i Budapestit nisi të premten, ndërsa është gara e parë e madhe që nga muaji shkurt. Distria fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 48 kilogramë, duke shkëlqyer gjatë gjithë ditës.

“Në përgjithësi jam e kënaqur me xhudon që kam shfaqur sot, sidomos në luftën e parë dhe në finale”, ka thënë ajo të premten mbrëma për KOHËN.

Në finale Distria e mposhti kampionen olimpike, argjentinasen Paula Pareto.

“Çdo herë që luftoj me Pareton është luftë e vështirë. Edhe pse është hera e pestë që fitoj kundër saj, mund të them që është xhudiste që i ka të gjitha medaljet dhe ka përvojë të madhe”, ka shtuar Krasniqi.

Ajo kishte fituar medalje në Paris në muajin shkurt dhe ka vazhduar njëjtë edhe në Budapest.

“Garat më kanë munguar shumë. Nuk kam garuar që nga Grand Slami i Parisit, që është mbajtur në shkurt. Jam shumë e kënaqur që kanë filluar prapë të mbahen garat e xhudos e sidomos për faktin që në garën e parë e mora medaljen e artë”, ka shtuar xhudistja pejane.

Distria tani vlerësohet pretendente për medalje evropiane e vitin e ardhshëm edhe për medalje olimpike. Është në seri të sukseseve dhe nuk duket që aktualisht ka limite për të.

“Vetë fakti që gati nga çdo garë kthehem me medalje dhe që jam e dyta në ranglistën botërore, dëshmon që jam pretendente për medalje në Tokio. Unë e kam një synim, që të marr pjesë në Olimpiadën në Tokio dhe të kthehem me medalje”, ka theksuar Krasniqi.