Sport

Rikthimi i Aston Villas në rrugën e duhur: nga përmirësimi i mbrojtjes te rekrutimi i “njerëzve të mirë”

Herën e fundit kur Aston Villa e pushtoi kreun e tabelës në Premier League ishte më 27 tetor të vitit 2001. Një të shtunë pasdite, Dean Smith po vraponte nëpër pellgjet dhe gropat e divizionit të tretë të Anglisë me Leyton Orientin, duke e udhëhequr si kapiten drejt fitores 4:2 ndaj Rochdales.

Pas lojës, Smith vrapoi në zhveshtore për ta shikuar në telefonin e tij të vjetër “Nokia” një mesazh të dërguar nga vëllai Dave, për të zbuluar rezultatin e skuadrës që e adhuronte në Premier League – Aston Villa, transmeton KOHA.

Pothuajse dy dekada më vonë, Smith është trajneri kryesor i Aston Villas dhe në ditët e tij të para ai po shijon suksesin. Pas pesë xhirove të luajtura këtë sezon në Premier League, Aston Villa zë vendin e dytë në tabelë me 12 pikë, një më pak se Evertoni që është lider dhe ka një ndeshje më shumë të luajtur. Për Aston Villan, ky është starti më i mirë brenda një sezoni që nga viti 1930, ndonëse para gati 90 ditëve e përfundoi edicionin e kaluar në pozitën e 17-të, duke i shpëtuar rënies në Championship.

“Përfundimisht kemi pasur një start të mirë duke tejkaluar edhe parashikimet tona. Edicioni i shkuar ishte katastrofal dhe këtë edicion kemi vendosur që t’i bëjmë gjërat pak më mirë. Kemi luajtur vetëm katër prej 38 ndeshjeve të këtij edicioni dhe e kemi parasysh që na pret një rrugë e gjatë. Mirëpo, starti është premtues dhe ne duam të vazhdojmë kështu”, tha Smith.

Cili ka qenë sekreti? Prej stërvitjeve të mbrojtësve me videoincizim, deri te rekrutimi i shkëlqyeshëm dhe emërimi i Craig Shakespearet si një nga ndihmësit e Smithit, janë gjërat që kanë bërë që tek Aston Villa tani të ëndërrojnë për një të ardhme më të ndritur.

Riorganizimi i mbrojtjes

Ringjallja mund të gjurmohet në bllokimin gjatë muajit mars për shkak të përhapjes së pandemisë.

Smith kishte nevojë për të “rivendosur” ekipin pas humbjes 4:0 në Leicester – disfata e katërt rresht - dhe punoi gjatë asaj periudhe për t’i identifikuar dobësitë e ekipit të tij. Ai zhvilloi takime individuale me çdo lojtar në aplikacionin “Zoom”, duke u përqendruar kryesisht në mbrojtje: Aston Villa kishte pranuar 56 gola në kampionat, duke bërë dhjetë gabime që çuan në gola, dhe ishte ekipi ndaj të cilit shënohej fare lehtë, veçanërisht nga ndërprerjet.

Smith bëri që lojtarët e tij të shikojnë video nga mbrojtja te Liverpooli dhe Lazio, duke përmirësuar disiplinën e tyre.