Sport

Koha po kalon për Guardiolën, derisa City po ndjek trofeun e “pakapshëm”

Koha po kalon për Guardiolën, derisa City po ndjek trofeun e “pakapshëm”
Foto: Reuters

Pep Guardiola fillon tentimin e ri për ta udhëhequr Manchester Cityn drejt lavdisë në Ligën e Kampionëve, me barrën e dështimeve të së kaluarës, duke hedhur dyshime në aftësinë e tij për të siguruar atë titull ende të pakapshëm. City e pret Porton në ndeshjen e parë të fazës së grupeve, të mërkurën (sot) prej orës 21:00, me trajnerin spanjoll që vazhdimisht po mundohet ta fitojë këtë trofe me ekipin anglez, shkruan AFP. 

Në fakt, nëse edhe këtë sezon nuk arrin një sukses të tillë, atëherë si për Guardiolan ashtu edhe për Cityn, do të jetë një dështim i madh. Me gjithë suksesin në futbollin e Anglisë, City kurrë nuk ka shkuar përtej gjysmëfinales së Championsit dhe Guardiola ka kohë që po e kërkon lavdinë në futbollin evropian. Qëkur e fitoi Ligën e Kampionëve si trajner i Barcelonës për herë të dytë në vitin 2011, Guardiola nuk ka arritur të kthehet në finalen e garës më elitare të Evropës. Ky dështim nëntëvjeçar përfshin katër vjet sa janë bërë qëkur trajneri spanjoll mori drejtimin e Cityt. Gjatë kësaj periudhe, Guardiola ka parë Cityn të mposhtet nga Monaco e Liverpooli në 1/8 e finales dhe Tottenhami e Lyoni në çerekfinale. Ai gjithashtu i ka humbur tri gjysmëfinale gjatë kohës sa ishte trajner i Bayern Muenchenit përpara se ta merrte drejtimin e Cityt. Disfata shokuese edicionin e fundit, 3:1, nga Lyoni në Lisbonë, ishte shumë e hidhur për faktin se City para ndeshjes shihej si favorit absolut përballë ekipit francez.