Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Atdhe Nuhiu, ka thënë se ndeshja kundër Maqedonisë së Veriut, do të jetë ndeshje e jetës.
Ai në konferencën për media ka theksuar se para katër vitesh nuk e kanë menduar se do të luftojnë për një vend në Evropian.
“Është ndeshje e jetës për ne, do ta japim maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv. Para katër vjetësh ka qenë e vështirë të paramendojmë këtë situatë ku jemi tash. Kosova kur është pranuar ne e kemi pasur një ëndërr dhe e kemi ditur se çfarë lojtar jemi. Jemi rritur si ekip dhe me vetëbesim kemi arritur këtu ku jemi. Para katër vitesh nuk kemi mundur ta parashikojmë se do të luajmë një ndeshje të tillë”, ka thënë Nuhiu në konferencën për media të mbajtur në Shkup, ku të enjten nga ora 20:45 do të luhet ndeshja e plejofit për kualifikim në “Euro 2020” në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
Ai gjithashtu ka thënë se të mundohen të marrin rezultatin më të mirë me lojtarët që janë në dispozicion, si ekip e jo si individë.
Nuhiu është shprehur optimist për këtë sfidë megjithë mungesat.
“Do të jenë mungesa të mëdha, por nuk ka pesimizëm, pasi secili lojtar nga ne mund ta japë maksimumin dhe ta tregojë vlerën e tij. Besoj se trajneri i ka selektuar lojtarët që mendon se të gjithë ne mund të hyjmë në fushë dhe ta fitojmë ndeshjen. Fakt është se janë mungesa të mëdha, por jemi optimist dhe të gatshëm për ta fituar ndeshjen. Pas situatës me COVID mezi e kemi pritur këtë ndeshje”, ka thënë ai.