Sport

Borussia Dortmundi, fabrika e futbollit ku bëhen super-yjet

Te Borussia Dortmundi duhet të ketë ndonjë magji. Klubi i Bundesligës tashmë e ka fituar një reputacion të gjetjes dhe nxitjes së talenteve të klasës botërore; marrja e lojtarëve të rinj me potencialë dhe zhvillimi i tyre në nivelin elitar. Rekordi i Dortmundit tashmë flet vetë. Futbollistët si Christian Pulisiq e Ousmane Dembele në faza të ndryshme janë zhvilluar te Dortmundi dhe vazhdojnë të luajnë në nivelin më të lartë, duke ia siguruar klubit gjerman një përfitim të madh në kthim. Skuadra aktuale e Dortmundit tani mburret me talente fantastike, si Jadon Sancho dhe Erling Haaland të cilët, tashmë konsiderohen dy nga lojtarët më të mirë në futbollin botëror dhe për të cilët gjermanët kërkojnë dëmshpërblim të madh për t’i lënë të lirë. Zhvillimi i talenteve dhe përfitimet nga shitja e tyre është vetëm një strategji e qëllimshme e krerëve të klubit, që e ka shndërruar Dortmundin në pretendent të vërtetë – si në Bundesligë ashtu edhe në Champions – pavarësisht se nuk është në gjendje të konkurrojë financiarisht me disa nga skuadrat më të mëdha të kontinentit.

Filozofia e lakmueshme e klubit lindi nga falimentimi i tij në vitin 2005, duke e detyruar atë të bënte biznes ndryshe prej disa nga rivalët e tij më të pasur.

“Unë mendoj se ne në Dortmund kemi një ide të qartë, një filozofi të qartë dhe ne u japim këtyre lojtarëve përvojë dhe kohë loje”, tha Lars Ricken, drejtori i akademisë së të rinjve te Dortmundi. “Mendoj se ky është dallimi ynë prej disa klubeve të tjera dhe karakteristika jonë unike. Kjo është arsyeja pse shumë lojtarë të rinj premtues e gjejnë rrugën e tyre për në Dortmund”.