Sport

Revolucioni i Koemanit te Barcelona ka nevojë për rezultate të menjëhershme

Descriptive Text

Barcelona ka mbajtur Lionel Messin, ka larguar Luis Suarezin dhe ka punësuar Ronald Koemanin, por epoka e re për klubin katalonjas fillon të dielën kundër Villarrealit, kur ndryshimi duhet të sjellë edhe rezultate.

Një pushim i shkurtër nuk e ka bërë punën më të lehtë për Barçën, që po përpiqet për disa javë të bëjë një lloj rinovimi në ekip që shumica e klubeve elitare do t'i japin vetes vite kohë për ta kryer.

Kanë kaluar mbi 40 ditë prej humbjes poshtëruese nga Bayern Muencheni në Ligën e Kampionëve, ndeshje që u fitua nga ekipi gjerman 8:2 dhe që u pasua me shkarkimin e trajnerit Quique Setien dhe përpjekjen e yllit Lionel Messi të largohej, transmeton KOHA shkrimin e AFP-së.

Messi u detyrua të qëndrojë dhe indikacionet e hershme janë se ai do ta mbajë premtimin e tij për të dhënë gjithçka nga vetja këtë sezon, pasi Barcelona kërkon ta rikthejë titullin e kampionit që edicionin e fundit e fitoi Real Madridi.

Në ditën e tij të parë të kthimit te Barcelona, Messi arriti më shumë se një orë para fillimit të stërvitjes dhe në javën e parë, ai stërviti edhe në ditët e pushimit të ekipit në atë që dukej si një përpjekje për të kompensuar kohën e humbur.

Ai ka luajtur në të tri ndeshjet miqësore dhe shënoi dy herë, kurse përshëndetja me trajnerin Koeman u vlerësua nga shtypi spanjoll në përgjithësi si një hap pozitiv.

“Ai është i ngazëllyer për projektin e Koemanit", tha presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, për Messin. “Gjëja e rëndësishme është që ai luan për Barcelonën, shtëpinë e tij. Ne duam që ai të pensionohet në këtë klub”.

Por, është e vështirë të imagjinohet se të menduarit e Messit ka ndryshuar në mënyrë dramatike qëkur ai me zemërim pranoi humbjen në ndjekjen e një klauzole në kontratën e tij që ai mendoi se e lejonte atë të largohej falas.