Sport

Voca insiston se liga turke është më e fortë se ajo e Zvicrës

 Jo, ai nuk po pi çaj tërë ditën. “Por familja ime e bën këtë”, thotë Idriz Voca nëpërmjet telefonit dhe qeshet.

Së bashku me babanë e tij dhe të dashurën, ai po qëndron në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, ku ka firmosur kontratë të vlefshme deri në vitin 2022 me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, me skuadrën MKE Ankaraguçu.

Në Superligën e Zvicrës, Voca, i cili është reprezentues i Kosovës, ishte njëri prej mesfushorëve më të vlefshëm. Ai tregon edhe arsyen se pse vendosi të largohet nga Luzerni për t’iu bashkuar Ankaraguçus.

“Pse jo? Vendi është interesant, liga është e mirë, në fakt më e fortë se në Zvicër. Dhe këtu kam mundësi të mirë për ta prezantuar veten me ekipin e ri”, ka thënë Voca, i cili ka pranuar se kishte edhe oferta të tjera, por ajo e Ankaraguçus ishte më e mira.

Voca ka thënë se ishte e vështirë të largohet nga shtëpia. 23-vjeçari është zhvilluar si futbollist te Luzerni, kurse me ekipin e parë ka debutuar në edicionin 2017/18. Ai ka pranuar se do t’i mungojnë familja, shoqëria dhe bashkëlojtarët te Luzerni, ekip për të cilin luajti një ndeshje në sezonin e ri.

Voca ka thënë se është plotësisht i gatshëm për aventurën e tij në Turqi, që ia ka vlejtur edhe financiarisht.

“Në Turqi pagat janë më të larta se në Zvicër dhe ky nuk është sekret. Të them të drejtën, paga ishte një prej arsyeve që u transferova tek Ankaraguçu, por jo edhe arsyeja kryesore. Do të më mungojë Luzerni pasi aty kam edhe familjen e shoqërinë, por unë jam plotësisht i gatshëm për aventurën time në këtë vend”, tha Voca.

Ai është i vetëdijshëm se Turqia duhet të luftojë me trazirat politike vazhdimisht, por është i përgatitur edhe për një gjë të tillë, ndonëse e shqetëson paksa. Madje për këto gjëra ai është menduar mirë përpara se të pranonte transferimin tek Ankaraguçu, që thuhet se ka paguar rreth tre milionë euro dëmshpërblim për kartonin e tij.

“Kam menduar shumë dhe nuk kam pranuar menjëherë. Sigurisht kam pak shqetësim për trazirat politike, por mund të them se deri më tash gjithçka ka qenë shumë mirë. Infrastruktura është e mirë, qyteti është modern. Shumë njerëz këtu flasin anglisht. Gjithçka është në rregull”, është shprehur Voca që ka shtuar se edhe moti në Ankara është më i nxehtë se në Luzern.

Edhe pse është pjesë e Ankaraguçut, Voca mendjen e ka te Luzerni dhe shpreson se ish-ekipi i tij do të ketë rezultate të mira në edicionin 2020/21.

“Trajneri Fabio Celestini po bën një punë të shkëlqyeshme. Ai dëshiron të luajë futboll të mirë, por kjo kërkon kohë. Unë besoj se Luzerni do të ketë rezultate të mira”, tha Voca që shtoi se është në kërkim të një apartamenti në Ankara në mënyrë që të mos jetojë në hotel dhe të fillojë me të vërtetë aventurën e tij fuqishëm në Turqi./ Blick.ch