Sport

Skuadrat me pak lojtarë të huaj e me trajnerë vendorë

Skuadrat me pak lojtarë të huaj e me trajnerë vendorë

Krahas numrit të vogël të basketbollistëve të huaj në edicionin 2020/21 të Superligës së Kosovës, i limituar pritet të jetë edhe numri i trajnerëve të huaj në skuadrat elitare.

Klubet e Superligës pas telasheve të mëdha financiare të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit janë fokusuar kryesisht te lojtarët, por edhe trajnerët vendorë. Së fundi, Rahoveci dhe Bashkimi edhe pse nuk kanë bërë ende asnjë lëvizje për lojtarë, kanë zyrtarizuar trajnerët për sezonin e ri. Rahoveci të enjten ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Bujar Locin derisa Bashkimi një ditë më herët ka bërë të ditur se Illmen Bajra do të jetë në krye të ekipit. Bajra ishte në krye të Bashkimit edhe sezonin e shkuar, i cili u ndërpre nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) më 31 mars pas përhapjes së COVID-19 në vend. Ndërkohë Loci edicionin e shkuar e nisi te Sigal Prishtina dhe në fillim të këtij viti u kthye te Rahoveci, por që nuk arriti ta drejtojë ekipin në asnjë ndeshje pasi fillimisht sezoni i basketbollit u anulua dhe pastaj u ndërpre nga FBK-ja, pa u shpallur kampioni.