Sport

FIFA: Pandemia COVID-19 do t’i kushtojë futbollit 14 miliardë dollarë

Pandemia COVID-19 me shumë gjasë do t’i kushtojë klubeve të futbollit nëpër botë 14 miliardë dollarë, rreth një e treta e vlerës së tyre, është thënë nga Federata Botërore e Futbollit (FIFA) të mërkurën, raporton agjencia Reuters.

Olli Rehn, që është përgjegjës i Komitetit të FIFA-s që merret me vlerësimin dhe luftimin e efekteve të pandemisë, ka thënë se FIFA, së bashku me këshilltarët financiarë, kanë llogaritur se futbolli i klubeve ka vlerë rreth 40 deri 45 miliardë dollarë.

Ai ka thënë se shifra 14 miliardë dollarë e humbjeve është e bazuar në skenarin aktual, por do të jetë më ndryshe nëse pandemia nuk largohet.

“Futbolli është goditur rëndë nga pandemia”, ka thënë Rehn, ish-komisioner i BE-së dhe tash guvernator i Bankës së Finlandës. “Ka krijuar shumë rrëmujë në nivele të ndryshme ku disa klube profesioniste janë duke u përballur me vështirësi shumë serioze. Jam shumë i shqetësuar për akademitë dhe klubet e rangjeve më të ulëta”.