Sport

Mehmedi shënon dy herë në miqësoren para shikuesve

1100 tifozë ishin të pranishëm në fitoren e fundit të Wolfsburgut në Magdeburg. Në fitoren 4:1 ishin vetëm tifozët e skuadrës vendëse, Magdeburgut, ndërsa për vizitorët dy herë shënoi shqiptari Admir Mehmedi.

Njësoj si trajneri Oliver Glasner, edhe golashënuesi i dyfishtë, Admir Mehmedi, thanë që ka qenë ndjenjë e mirë të luanin para tifozëve në stadium, gjatë testit të fundit parasezonal.

“Krahasuar me Bundesligën, kishte shumë pak shikues, por ishte shumë mirë t’i dëgjoja përsëri tifozët, edhe pse ata ishin të skuadrës kundërshtare”, ka thënë Mehmedi i cili shënoi golin e parë dhe të fundit të skuadrës së tij.

Edhe trajneri Glasner gjithashtu e shijoi atmosferën. “Më në fund spektatorët ishin të pranishëm”, u shpreh austriaku i lumtur. “Kishte atmosferë të mirë në stadium. Ishte gjë e bukur”, përfundoi ai.

Wolfsburgu ndeshjen e radhës do ta ketë të shtunën e ardhshme. Skuadra e Mehmedit do të luajë në rundin e parë të Kupës së Gjermanisë kundër Union Furstenwaldes, por nuk do të ketë të pranishëm në stadium.

Një javë më vonë, në kuadër të javës së parë të Bundesligës kundër Bayer Leverkusenit, do të lejohen 500 tifozë.

“Do të jem i lumtur kur të vijë koha që të luajmë përsëri para tifozëve në stadiumin tonë”, nënvizoi Mehmedi. Mehmedi një kohë të gjatë mungoi në fushat e gjelbra për shkak të problemeve që kishte me tendinën e Akilit.