Sport

Prishtina do ta zhvillojë ndeshjen me Lincolnin, por me lojtarë krejtësisht të tjerë

Klubi i futbollit Prishtina ka njoftuar se ndeshja parakualifikuese për Ligën e Evropës, ndaj Lincolnit, ka marrë pëlqimin e UEFA-s që të zhvillohet. Megjithatë, klubi kosovar do të duhet të paraqitet me lojtarë krejtësisht të tjerë dhe jo me ata që ishte nisur drejt Gjibraltarit, ku iu anulua ndeshja e paraparë për të martën pasi tetë futbollistë i rezultuan pozitivë në testin për koronavirus.

Prishtina ka njoftuar në rrjetet sociale se ka marrë futbollistë nga Feronikeli, Llapi, Trepça ’89, Flamurtari, Ballkani, Drenica e Vushtrria.

Nga Trepça ’89 Prishtina ka huazuar Lassine Traoren dhe vëllezërit Muja. Prej Llapit, “Plisave” u bashkohen Valmir Veliu, Kastriot Selmani, Mentor Zhdrella, Elvis Prenqi dhe portieri Giacomo Nava. Nga rivali i qytetit, Flamurtari, te Prishtina janë huazuar Ardit Nika, Gentrit Dumani, Mërgim Boshnjaku, Donat Hasanaj dhe Adem Maliqi, ndërsa Arion Ymeri dhe Përparim Osmani nga Drenica. Nga Feronikeli janë huazuar Lapidar Lladrovci, Yll Hoxha, Mendurim Hoti, Ilir Berisha, Florian Smakiqi e Albert Dabiqaj, raporton KOHA.

Ndeshja, sipas njoftimit, do të zhvillohet më 21 gusht, ndërsa kryeqytetasit kanë thënë se po kërkojnë që ajo të shtyhet për një ditë.

Kryetari i klubit, Remzi Ejupi, ka konfirmuar për KOHËN se kryetrajner do të jetë Ramiz Krasniqi. Ai ka thënë se të gjithë do të testohen të enjten, ndërsa të premten planifikojnë të nisen për në Gjibraltar.

Ndeshja ishte paraparë të zhvillohej të martën, por një orë para nisjes ajo u anulua pasi tetë futbollistë të Prishtinës rezultuan pozitivë në testet për COVID-19, pak ditë pasi në Kosovë rezultuan negativë. Edhe pse Prishtina pati 14 futbollistë në dispozicion, autoritetet e Gjibraltarit nuk lejuan zhvillimin e ndeshjes.