Sport

MKRS-ja pajis me mjete palestrën në Zubin Potok të ndërtuar nga Serbia

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka njoftuar të premten se ka nënshkruar memorandum me komunën e Zubin Potokut për pajisjen me mjete të qendrës sportive në këtë qytet në veri të vendit.

Vlera e memorandumit është 100 mijë euro dhe ajo është firmosur nga ministrja Vlora Dumoshi dhe kryetari i Zubin Potokut, Sërgjan Vuloviq.

Palestra në këtë qytet është ndërtuar me mjete të Qeverisë së Serbisë.

Sipas një raporti të agjencisë Tanjug në ditën e vënies së gurthemelit më 2006, ajo është dashur të përfundojë në fund të vitit 2007 dhe të kushtojë 730 mijë euro.

Në këtë palestër, luajnë klube serbe që refuzojnë të marrin pjesë në sistemin sportiv kosovar. Klubet nga ky qytet dhe në të tjerët me shumicë serbe, marrin pjesë në garat që i organizon Serbia, e që në Kosovë janë ilegale.

“Në kuadër të mbështetjes së komunave të Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot ka nënshkruar memorandum me komunën e Zubin Potokut, për mbështetje financiare të projektit ‘Sigurimi i pajisjeve për Arenën në Qendrën Sportive në Zubin Potok’, në vlerë prej 100 mijë euro. Memorandumin e nënshkruan ministrja Vlora Dumoshi dhe kryetari i komunës Stevan Vuloviq”, thuhet në njoftim. Në fakt, MKRS-ja ia ka huqur me emrit e kryetarit. Stevan Vuloviq ishte më herët kryetar i Zubin Potokut, e tash është Sërgjan Vuloviq, i cili edhe shihet në foto me ministren Dumoshi.

Sipas njoftimit, MKRS-ja e ka obligim të investojë në të gjitha komunat e Kosovës.

“Ministria ka obligim që të investojë në të gjitha komunat e Kosovës dhe i trajton të gjitha njësoj. Për mua si ministre të gjitha komunat janë të barabarta, të gjithë janë qytetarët të Kosovës dhe do t’i mbështes të gjitha komunat pa përjashtim. Edhe ky projekt, por edhe projekte tjera të cilat pritet të planifikohen për vitin e ardhshëm, si MKRS jemi të gatshëm dhe do të ndihmojë edhe Komunën e Zubin Potokut”, tha Dumoshi.

Sipas komunikatës së MKRS-së, kryetari i Zubin Potokut, Vuloviq e falënderoi ministren për pritjen e ngrohtë dhe për mbështetjen.

“Tha (Vuloviqi v.j.) se mbështetja e ministrisë dhe gatishmëria e ministres për ta ndihmuar Zubin Potokun janë befasuese dhe e mirëseardhur. Është e nevojshme një ndihmë e tillë për komunitetin në Zubin Potok”, përcjell MKRS-ja deklaratën e Vuloviqit.

Po ashtu bëhet e ditur se palët u pajtuan që ditëve në vijim, ministrja Dumoshi të vizitojë Komunën e Zubin Potokut.

Image

Palestra e sporteve në Zubin Potok