Federata e Futbollit të Kosovës ka kërkuar nga UEFA që të gjejë një mënyrë për t’ia mundësuar Dritës zhvillimin e finales së fazës parakualifikuese në Ligën e Kampionëve.
UEFA të martën pasdite njoftoi se është pezulluar ndeshja Drita-Linfield pasi një futbollist kosovar doli pozitiv me COVID-19. UEFA njoftoi se vendimi është marrë për shkak se autoritetet zvicerane, ku po luhet kjo fazë, kanë vendosur për karantinim të lojtarëve të Dritës.
Në rregulloren e UEFA-s theksohet se nëse shteti nikoqir liron të paktën 13 futbollistë nga karantina, ndeshja mund të zhvillohet, në të kundërtën, takimi mbyllet me rezultat zyrtar 3:0. Afati i fundit për zhvillimin e kësaj ndeshjeje është 14 gushti.
Tani FFK-ja ka thënë që për të mundësuar zhvillimin e kësaj ndeshjeje dhe që të mos ndëshkohet Drita, ka kërkuar nga UEFA të mundësojë zhvillimin e ndeshjes në termin dhe vend tjetër.
“Ndërkohë, FFK shpreson dhe beson që do të respektohet protokolli dhe rregulloret e UEFA-s në rastin e Covid 19, ku të infektuarit izolohen dhe të tjerët e vazhdojnë garën. Me këtë rast lusim UEFA-n dhe kërkojmë mirëkuptim që të mundësojë zhvillimin e kësaj ndeshjeje në ndonjë termin tjetër dhe vend tjetër me qëllim që mos të dëmtohet ekipi ynë”, thuhet në njoftim.