20:42

Namani rezulton pozitiv për koronavirus, Drita habitet me një vendim të UEFA-s

Klubi i futbollit Drita ka njoftuar se futbollisti Hamdi Namani ka rezultuar pozitiv për koronavirus në testet e reja të bëra në Zvicër para ndeshjes finale në fazën e parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve.

Në një reagim në Facebook, klubi është shprehur i habitur se si UEFA e ka lënë në vetizolim Bujar Shabanin, edhe pse rezultoi disa herë negativ. Ai ishte vetizoluar pas kontaktit me Fidan Gërbeshin që kishte rezultuar pozitiv ditë më parë, ndërsa Gërbeshi sot doli negativ.

“E tmerrshme! Nga testimet e sotme, tani pozitiv ka rezultuar lojtari më i mirë në ndeshjen e fundit Hamdi Namani, e për çudi negativ rezulton Fidan Gërbeshi që në testin e para dy ditëve ishte pozitiv, gjithashtu negativ rezultoi edhe Bujar Shabani që në testin e para dy dite ka rezultuar negativ, por për shkak të kontaktit me Fidanin është kërkuar nga UEFA që të vetizolohet! E habitshme se çfarë po ndodhe, e habitshme se si UEFA vepron me standarde te dyfishta, ku vetizolon lojtarin që rezulton katër herët e fundit negativ. Kjo është e pabesueshme se si mund t’i ndodhë një gjë e tillë një organizatori siç është UEFA!” thuhet në njoftim të klubit.

19:29

Gërbeshi dhe Shabani dalin negativë në testin për koronavirus

Klubi i futbollit Drita ka pranuar rezultatin e testit për koronavirus për dy futbollistët, Fidan Gërbeshi dhe Bujar Shabani.

Të dy futbollistët kanë dalë negativë, ka mësuar KOHA nga burimet e saj brenda kampiones së Kosovës në futboll.

“Të dy futbollistët kanë dalë negativë”, i ka thënë shkurt KOHËS një zyrtar i klubit në kushte anonimiteti. Gërbeshi kishte dalë pozitiv para ndeshjes që Drita e fitoi të shtunën në Nyon të Zvicrës me rezultatin 2:1 ndaj Inter d’Escaldes.

Edhe Shabani u detyrua të izolohet meqë ka qenë bashkë me Gërbeshin me një dhomë.

Drita të martën do ta luajë ndeshjen finale të parakualifikimeve për Ligën e Kampionëve kundër Linfieldit të Irlandës së Veriut.

Drita është në pritje të rezultateve edhe për pjesën tjetër të ekipit.