Sport

Championsi rikthehet me superduelin City – Real

Championsi rikthehet me superduelin City – Real

Gara më elitare e futbollit në Evropë, Liga e Kampionëve, do të rikthehet të premten mbrëma në skenë, dhe atë me duelin derbi ndërmjet Manchester Cityt dhe Real Madridit. Nuk ka rikthim më të mirë të Championsit sesa me këtë përballje pas pesë muajve pauzë të detyrueshme për shkak të përhapjes së koronavirusit. Dueli mes Cityt e Realit zhvillohet në “Etihad Stadium” të premten (sot) mbrëma dhe nis në orën 21:00, kanë shkruar të enjten mediumet e huaja. Kjo është ndeshja e kthimit në kuadër të 1/8 së finales dhe skuadra e Cityt ka një epërsi ndaj Realit pas fitores 2:1 në duelin e parë të zhvilluar në “Santiago Bernabeu” në fund të shkurtit.

Real Madridi javë më parë e fitoi titullin e kampionit në La Liga pas tre vjetësh derisa City përfundoi nënkampion në Premier League. Te City janë maksimalisht të motivuar për ta mbrojtur rezultatin e duelit të parë, por edhe synojnë fitore në ndeshjen e dytë përballë Realit për të vazhduar rrugëtimin në Champions. Trofeu i vetëm që i mungon ekipit anglez është ai i Championsit dhe te City po synojnë ta kurorëzojnë këtë edicion me një triumf të tillë. Në fakt, City ka dominuar vitet e fundit në futbollin anglez nën drejtimin e Pep Guardiolas, por klubi po e kërkon suksesin në Evropë dhe këtë e pranon edhe qendërmbrojtësi Aymeric Laporte.