Sport

Parker premton se Fulhami do të mbetet gjatë në elitë

Trajneri Scott Parker insiston se Fulhami i sapokthyer në Premier League duhet të shmangë gabimet që i kishte bërë para dy sezoneve dhe premton stabilitet të ekipit në elitën e futbollit anglez. Fulhami, të martën mbrëma e siguroi rikthimin në Premier League pas fitores në finalen e plejofit të Championshipit kundër Brentfordit, ekip që e mposhti me rezultatin 2:1 pas vazhdimeve, shkruan AFP. 

Fulhami para dy sezonesh ishte rikthyer në Premier League në mënyrë të ngjashme, por në elitë nuk qëndroi më shumë se një vit. Edicionin e shkuar, Fulhami u largua nga Premier League për t’u kthyer pas një viti falë qasjes pragmatike të trajnerit Parker. Kjo qasje e ish-mesfushorit të Fulhamit dhe Anglisë u vërejt edhe në triumfin ndaj Brentfordit në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Wembley” të Londrës.

Edhe pse loja e Parkerit nuk është pëlqyer nga tifozët e Fulhamit, ai ka arritur të rikthejë ekipin në elitë dhe shpreson që në të ardhmen drejtuesit e klubit të mos përsëritin gabimet sikurse në të shkuarën. Në fakt, investimet e mëdha të Fulhamit asnjëherë nuk u shpërblyen me rezultate të mira në fushë dhe këtë më së miri e përjetoi në lëkurën e vet pikërisht Parker. Ai në shkurt të vitit të shkuar e zëvendësoi Claudio Ranierin në postin e trajnerit, edhe pse ekipi tashmë kishte konfirmuar rënien nga Premier League. Parker ishte emëruar përkohësisht, por pas tri fitoreve në nëntë ndeshjet e mbetura në kampionat ai u shpërblye me kontratë dyvjeçare. Ky investim i krerëve të Fulhamit doli të ishte i mençur, pasi Parker tani e shpërbleu klubin me 170 milionë euro, të cilat do t’i fitojë falë promovimit në Premier League.