Sport

Përmbysja e vendimit për Cityn, ditë jo e mirë për futbollin

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp beson se vendimi për të përmbysur dënimin e Manchester Cityt nga futbolli evropian, nuk ishte një ditë e mirë për futbollin. Klopp ka shprehur përkrahjen e tij për Fer Plejin Financiar (FFP).

Ndërkohë Jose Mourinho e ka vlerësuar situatën si një “katastrofë”.

City është lejuar të luaj në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm, pasi dënimi prej dy vjetësh nga futbolli evropian është anuluar me vendim të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) të hënën.

Sipas Kloppit, vendimi mund të jetë i mirë për Liverpoolin pasi City do të jetë i ngarkuar duke garuar në katër fronte edicionin e ardhshëm. Por sipas tij vendimi mund të ketë ndikim negativ në futboll në përgjithësi.

“Jam i lumtur që City mund të luajë në Ligën e Kampionëve, por nuk mendoj se ishte një ditë e mirë për futbollin, të jem i sinqertë”, ka thënë Klopp, raporton Sky Sports.

“Mendoj se FFP është i mirë për futbollin. Fer Pleji Financiar është për të ruajtur skuadrat, për të ruajtur garën. Kjo ishte ideja në fillim, që askush të mos e teprojë me shpenzime. Klubet duhet të garantojnë që paratë që duan të shpenzojnë të jenë të bazuara në burime të duhura”.

Klopp shpreson që FFP të mbetet në fuqi pasi vlerëson se ai vendos kufij që nuk mund të kalohen. Sipas tij kjo është e mirë për futbollin.

“Nëse filloni të bëni këtë dhe askush nuk brengoset, atëherë njerëzit më të pasur, vendet më të pasura mund të bëjnë çka të duan dhe kjo do ta bënte garën shumë të vështirë. Mendoj se kjo do të dërgonte te një Superligë botërore me rreth dhjetë skuadra”.

Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho ka vlerësuar vendimin për anulim të dënimit si të turpshëm dhe një fatkeqësi.

“Nëse Manchester City nuk është fajtor dhe megjithatë është dënuar me disa miliona, atëherë është gjë e turpshme. Nëse nuk je fajtor nuk dënohesh. Në anën tjetër, nëse je fajtor duhet të dënohesh. Në secilin rast, është një katastrofë”, ka thënë Mourinho.

“Nuk po them që Manchester City është fajtor. Po them se nëse nuk jeni fajtor ju nuk paguani. E di që paratë nuk janë problem për këtë klub. Por nëse jeni fajtor ju duhet të largoheni nga garat. Nuk jam askush që të di nëse ishte fajtor apo jo. Kritika ime është për vendimin. Mendoj se do të jetë fundi i Fer Plejit Financiar, pasi nuk ka kuptim”.

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka thënë se City meriton një kërkim falje pas anulimit të dënimit.