Sport

Drita zgjedh heshtjen para derbit me Prishtinën

Drita zgjedh heshtjen para derbit me Prishtinën

Te Drita kanë vendosur të mos flasin në prag të përballjes me Prishtinën, duke dashur të fokusohen në fazën përfundimtare të edicionit. Kryesia e klubit ka kërkuar si nga futbollistët, ashtu edhe nga shtabi teknik, që të mos deklarohen përpara derbit të nxehtë me Prishtinës. Përderisa Drita ka zgjedhur heshtjen, te Prishtina kanë paralajmëruar ta fitojnë këtë ndeshje të rëndësishme që mund të jetë përcaktuese për plasmanin në tabelë. Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, ka thënë se futbollistët e tij do të jenë maksimalisht të motivuar për ta mposhtur Dritën, pavarësisht ngjarjeve të pahijshme që ndodhën ditëve të fundit.

Dueli ndërmjet Prishtinës dhe Dritës është derbi i xhiros së 30-të në Superligën e Kosovës në futboll dhe i vetmi që do të nisë në orën 18:00, pasi ndeshjet tjera të kësaj xhiroje do të startojnë prej orës 17:00. Ndeshja do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Kjo përballje dhe vjen vetëm pak ditë pas akuzave të Prishtinës ndaj Dritës se kishte pasur gisht në humbjen e fundit të ekipit kryeqytetas ndaj Gjilanit (2:1). Të mërkurën në Gjilan pas ndeshjes u krijua një tollovi, ku trajneri i Prishtinës së bashku me një pjesë të stafit dhe disa lojtarë u spërkatën me sprej lotsjellës nga një pjesëtar i policisë, pasi kishin shkuar të ankoheshin në vendimet e arbitrave. Madje, te klubi Prishtina akuzuan se Drita ka shtrirë ndikimin te gjyqtarët për ta fituar titullin e kampionit.