Volejbollistja nga Kuba, Lianma Flores, po e përjeton aventurën e dytë si volejbolliste në Evropë. Flores këtë edicion është pjesë e ekipit të volejbollit nga Prishtina, M-Technologie, që po e kërkon titullin e kampionit në Superligën e femrave të Kosovës.
Në fakt, në krye me trajnerin Naser Krasniqi, ekipi M-Technologie është pretendent për titullin e kampionit pas përforcimeve që i ka bërë nga jashtë për këtë edicion. Padyshim, njëra prej pikave më të forta të klubit mbetet volejbollistja nga Kuba, Flores, shkruan KOHA. Për Floresin, kjo është hera e parë që luan në Kosovë dhe shpreson që të kurorëzohet me titullin e kampionit. Para se të vinte në Kosovë, Flores ka bërë karrierë edhe në Rusi.
Gjatë tërë karrierës së saj, Flores ka luajtur vetëm në vendlindje, me përjashtim të rasteve në Rusi e Kosovë. Oferta që i kishte bërë M-Technologie para fillimit të këtij edicioni e kishte bindur që të mos kthehej në vendlindje që të vazhdojë karrierën. Edhe pse kurrë më parë nuk kishte dëgjuar për Kosovën, Flores vendosi që të bënte ndryshim në karrierë.
Në të vërtetë, 29-vjeçarja pranon se Kosova ishte një mundësi ideale për të treguar aftësitë e saj si volejbolliste në një prej ekipeve më të mira.