Sport

Gjilani kërkon fitoren në Drenas, për ta mbajtur hapin për titull

Pas barazimit të fundit në shtëpi, skuadra e Gjilanit në duelin ndaj Feronikelit nuk ka opsion tjetër veç fitores, për të mbajtur hapin për titullin e kampionit. Gjilani në duelin e fundit luajti baras me Llapin (2:2), duke bërë një hap prapa në garën për titullin e kampionit. Ka mbetur në pozitën e katërt me 52 pikë të mbledhura, gjashtë më pak se Drita që prin në klasifikim. Deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe gjashtë xhiro të pazhvilluara, kurse Gjilani do të udhëtojë në Drenas për tri pikë. Dueli mes Feronikelit e Gjilanit zhvillohet të shtunën (sot) prej orës 17:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” dhe i takon xhiros së 28-të të Superligës së Kosovës në futboll. Feronikeli renditet i pesti me 44 pikë.

“Ne do të dalim në fushë për ta fituar ndeshjen, pasi na duhet tri pikët për ta mbajtur hapin me kreun e tabelës, e po ashtu presim edhe ndonjë gabim të ekipeve tjera që na mundëson ngjitjen. Kështu që ne shpresojmë të kthehemi me tri pikë nga Drenasi, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë, për shkak se Feronikeli ka një ekip shumë të mirë”, ka thënë mesfushori i Gjilanit, Muhamed Useini.

E, krahas Useinit, fitore ndaj Niklit po kërkon edhe sulmuesi i Gjilanit, Fiton Hajdari.

“Nuk ka më ndeshje të lehta dhe Feronikeli ka një ekip shumë cilësor, por ne synojmë të marrim një rezultat pozitiv”, tha shkurt Hajdari.

Ndërkohë, te Feronikeli, që tashmë është nxjerrë nga gara për ta mbrojtur titullin, por edhe për të siguruar një vend në Evropë, insistojnë se këtij dueli do t’i qasen me seriozitetin më të madh. Në fakt, trajneri Afrim Tovërlani edhe njëherë ka insistuar se Feronikeli do të japë maksimumin dhe do të luftojë në çdo ndeshje deri në fund të këtij edicioni. Feronikeli në duelin ndaj Gjilanit vjen pas humbjes nga Prishtina (3:1) dhe barazimi pa gola me Drenicën.

“Si çdo ndeshje, edhe përballja me Gjilanin pres të jetë shumë e vështirë. Gjilani ka një skuadër të fortë dhe me përvojë të madhe. Ndeshjes do t’i qasemi me seriozitetin më të madh dhe do të luftojmë për të dhënë më të mirën nga vetja në secilën ndeshje deri në fund të sezonit”, është shprehur Tovërlani.

Ndërkohë, skuadra e Llapit, që në dy ndeshjet e fundit e ndali në barazim Prishtinën (1:1) dhe Gjilanin (2:2), po synon të njëjtën gjë ta bëjë edhe kundër Dritës. Llapi e pret Dritën të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” të Podujevës, ndeshje që nis në orën 17:00. Drita është lidere dhe prejse kanë rifilluar garat pas pauzës shkaku i pandemisë, i ka fituar të gjitha ndeshjet kampionale që i ka luajtur. Ka 58 pikë, 22 sosh më shumë se Llapi (36) që renditet në pozitën e gjashtë në tabelë. Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka insistuar se futbollistët e tij do të dalin në fushë për ta fituar ndeshjen për shkak se barazimet e fundit me dy ekipe pretendente për titull i kanë motivuar edhe më shumë për ta përfunduar këtë edicion në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Do të jetë ndeshja më e vështirë pas rifillimit të garave, por jemi në formën më të mirë të mundshme. Po aplikojmë lojë të mirë dhe kolektive, duke dëshmuar se e kemi merituar daljen në Evropë, por ndarja e drejtësisë është shkaktari kryesor që na ka penalizuar. Do ta respektojmë Dritën, që ka një super ekip, por edhe ne kemi një super ekip me lojtarë cilësorë. Do t’i futemi ndeshjes pa presion për të luajtur një lojë të mirë dhe me tentimin për t’i marrim pikët e plota”, tha Batatina.

Nën hijen e derbit në Podujevë të dielën skuadra e Ferizajt e pret Trepçën ’89.

 Superliga – XXVIII

E premte

Vushtrria – Flamurtari 2:2

(Shënues: Fazliu 11’, Sie 41’ – Zeqiri 7’, Stullqaku 36’)

Prishtina – Drenic 1:0

(Shënues: Januzi 90’+4)

E shtunë

Feronikeli – Gjilani (17:00)

(Arbitra: T. Maloku, E. Zeqiri, F. Sekiraqa, B. Ajeti)

Dukagjini – Ballkani (17:00)

(Arbitra: G. Nuza, F. Berisha, B. Selimaj, V. Kastrati)

E diel

Llapi – Drita (17:00)

(Arbitra: S. Isufi, G. Hyseni, E. Bicaj, A. Shala)

Ferizaj – Trepça ’89 (17:00)

(Arbitra: B. Kasumi, L. Muhadri, M. Berisha, D. Çaka)

1. Drita 27 18 4 5 48:17 58

2. Prishtina 28 17 6 5 51:18 57

3. Ballkani 27 15 8 4 42:18 53

4. Gjilani 27 16 4 7 50:24 52

5. Feronikeli 27 13 5 9 44:30 44

6. Llapi 27 11 6 10 40:42 39

7. Flamurtari 28 10 7 11 37:48 37

8. Drenica 28 9 8 11 33:36 35

9. Trepça ’89 27 8 7 12 38:43 31

10. Ferizaj 27 8 2 17 26:51 26

11. Vushtrria 28 4 5 19 25:65 17

12. Dukagjini 27 2 4 21 14:56 10